
Një studim i ri revolucionar ka treguar se është e mundur të parandalohet përgjithmonë rikthimi i kancerit dhe metastazave tek të dy gjinitë, kur kanceri i gjirit është tërhequr pas trajtimit fillestar të suksesshëm, duke përdorur barna tashmë të miratuara
Autorët besojnë se e njëjta metodë mund të zbatohet edhe për lloje të tjera kanceri.
Në studimet e tyre, shkencëtarët nga Universiteti i Pensilvanisë arritën të identifikojnë persona që kishin “qeliza të fjetura” të kancerit të mbetura pas mbijetesës nga kanceri. Këto qeliza të fjetura fshihen dhe janë joaktive, por nganjëherë, pas një periudhe qetësie që mund të zgjasë me vite, mund të aktivizohen në pjesë të ndryshme të trupit dhe të shkaktojnë metastaza.
Shpresë e re për gratë me kancer gjiri
Udhëheqësit e studimit, Angela DeMichele dhe Lewis Chodosh nga Qendra e Kancerit Abramson dhe Fakulteti i Mjekësisë Perelman, publikuan rezultatet në revistën prestigjioze Nature Medicine, sipas të cilave këto qeliza mund të zbulohen dhe trajtohen me efikasitet përmes barnave që tashmë përdoren për sëmundje të tjera.
Kanceri rikthehet në 30% të rasteve
Megjithëse mbijetesa nga kanceri i gjirit është përmirësuar falë zbulimit të hershëm dhe terapive të avancuara, problemi i rikthimit kur sëmundja shfaqet pas trajtimit fillestar – mbetet. Përvoja tregon se kanceri i gjirit rikthehet në rreth 30% të rasteve, që do të thotë se shumë paciente vazhdojnë të jetojnë me frikën e përsëritjes.
Disa lloje tumoresh, si HER2+ dhe kanceri i gjirit trefish negativ, shpesh kthehen pas disa vitesh, ndërsa llojet pozitive në receptorët e estrogjenit (ER+) mund të mbeten të fjetura dhe të rishfaqen pas dekadash. Deri tani nuk ka pasur mënyrë për të zbuluar cilët të mbijetuar bartin qeliza të fjetura dhe t’i trajtojnë ato për të parandaluar përsëritjen e sëmundjes agresive, transmeton Telegrafi.
Parandalimi i përsëritjes së sëmundjes
Chodosh thotë se studimi i ri tregon që faza e fjetjes paraqet një mundësi për ndërhyrje dhe shkatërrim të qelizave tumorale të fjetura para se ato të kthehen si sëmundje agresive e metastatike.
“I befasueshëm ishte fakti që zbuluam se disa barna, të paefektshëm ndaj kancerit aktiv, që rritet, mund të jenë shumë efektivë ndaj këtyre qelizave të ‘fjetura’. Kjo na tregon se biologjia e qelizave tumorale të fjetura është shumë ndryshe nga ajo e qelizave aktive të kancerit”, shtoi ai.
Cilat janë këto barna dhe si veprojnë?
Studimi zbuloi se dy barna ekzistuese, hidroksiklorokina (HCQ) dhe everolimus (EVE), të miratuara nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) për qëllime të tjera, mund të përdoren për eliminimin e sëmundjes minimale reziduale (MRD), pra të qelizave tumorale të fjetura, tek minjtë, gjë që çon në periudhë më të gjatë pa rikthim të sëmundjes.
Këto barna synojnë autofagjinë dhe rrugën sinjalizuese mTOR.
Autofagjia është procesi me të cilin qelizat shpërbëjnë dhe riciklojnë pjesët e tyre, organelet e dëmtuara dhe proteinat, për të mbijetuar në kushte stresi.
mTOR (Target mekanistik i rapamicinës) është rrugë sinjalizuese që rregullon rritjen, metabolizmin dhe prodhimin e proteinave në qeliza, e cila mund të stimulojë rritjen e qelizave kur është aktive. Kur bllokohet, nxit autofagjinë – qelizat “hanë vetveten”.
Në eksperimentet paraklinike me minj, studiuesit treguan se këto barna funksionojnë duke ndërprerë procesin që i lejon qelizat të mbeten të fjetura. Kur autofagjia dhe sinjalizimi mTOR bllokohen, qelizat nuk mund ta mbajnë gjendjen e fjetjes, procesi “ndërpritet” dhe ato eliminohen para se të zgjohen dhe të fillojnë të shumohen.
Çfarë do të thotë kjo për pacientët?
Në një provë klinike të rastësishme të quajtur CLEVER, shkencëtarët testuan qelizat e fjetura në palcën e kockës së 51 pacientëve të mbijetuar nga kanceri i gjirit. Ata tek të cilët u zbuluan këto qeliza morën HCQ, EVE ose kombinimin e tyre. Pas 6–12 muajsh, qelizat e fjetura u zhdukën tek shumica e pjesëmarrësve.
Pas një ndjekjeje mesatare prej 42 muajsh, vetëm dy pjesëmarrëse përjetuan rikthim të sëmundjes.
Jeta me frikën
Angela DeMichele tha se frika nga rikthimi i kancerit është diçka që i përndjek shumë të mbijetuar edhe shumë kohë pas trajtimit.
“Studimi ynë tregon se parandalimi i rikthimit përmes monitorimit dhe synimit të qelizave tumorale të fjetura ka një premtim të vërtetë”, shtoi ajo.
Si funksionon mekanizmi i zbuluar?
Imagjinoni që pas terapisë në trup mbeten qeliza kanceroze që nuk ndahen dhe nuk rriten, ato janë si një “ushtri armike e vdekur”. Nuk janë të dukshme me metodat e zakonshme diagnostike si skanimi ose mamografia, sepse nuk rriten dhe nuk formojnë masa të dallueshme. Por kur marrin sinjal se kushtet janë ndryshuar, këto qeliza mund të zgjohen, të reaktivizohen, të fillojnë të ndahen, të përhapen dhe të shkaktojnë metastaza.
Barnat që veprojnë mbi qelizat e fjetura e bëjnë këtë duke bllokuar mekanizmat që qelizat përdorin për t’u mbrojtur. Më shpesh, kjo është autofagjia ose rruga sinjalizuese mTOR. Kur këto rrugë bllokohen, qelizat nuk mund të qëndrojnë më të fshehura dhe të “fjetura”, dhe mund të shkatërrohen para se të aktivizohen.
Pse është kjo e rëndësishme?
Ky studim hap mundësinë që shumë pacientë, pas trajtimit fillestar të kancerit të gjirit, të mos kalojnë më në fazën “prit dhe shiko”, por të kenë mundësi të parandalojnë rikthimin, madje edhe pas dekadash.
Shkencëtarët tashmë po zhvillojnë studime më të mëdha, si ABBY dhe PALAVY, për të konfirmuar dhe zgjeruar rezultatet e studimit CLEVER.
Përdorimi i mundshëm për lloje të tjera kanceri
Nëse kjo strategji e re rezulton e efektshme, mund të jetë një ndryshim paradigme në vend që të trajtohet rikthimi pasi të shfaqet, mjekët mund të synojnë qelizat e fjetura paraprakisht për të parandaluar që rikthimi të arrijë një nivel klinikisht domethënës. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për karcinomat e gjirit ER+, por mund të ketë implikime edhe për lloje të tjera kanceri.