Në përvjetorin e njëzet e shtatë të masakrës në Krushë të Vogël, sot do të rivarrosët Ajvaz Shehu, i cili më 1999 ishte gati 16 vjet. Që nga ajo kohë deri para tetë vitesh familjarët nuk kanë ditur asgjë për fatin e tij.
Para tetë vitesh, eshtrat e tij u gjetën në Shirokë, porse nëna nuk kishte pranuar të varroset, duke refuzuar se i përkasin trupit të djalit të saj.
Sot, në këtë përvjetor, vëllai i Avjazit, Qazim Shehu vendosi ta rivarrosë vëllain e tij të ndjerë.
Shehu tha se historia e familjes së tij por edhe fshatit është një rrëfim i tmerrshëm e një dhimbje e papërshkrueshme.
Shehu:Një dhimbje që s’mund ta përshkruajë
“Historia e këtij fshati nuk është veç histori, është nji rrëfim i tmerrshëm, një dhimbje që s’mund ta përshkruajë njeri që e pa ato çka ka ndodhur. Jo vetëm tek familjarët e mi, po aty kanë qenë prezent 109 persona. Unë, sipas të tjerëve, dëshmitarëve që kanë pas këtë rast po, që kanë qenë këta, ata kur i dëgjosh se çka kanë përjetu, i bëj pyetje vetes a thua mund njeri me bë këtë”, tha ai për KosovaPress.
Shehu tha se ende nuk dihet asgjë për fatin e dy anëtarëve të tjerë të familjes, përkatësisht vëllait të madh dhe të dytë, duke theksuar se mungesa e informacionit për ta mbetet plagë e hapur.
Ndërsa, në mesin e të vrarëve kanë qenë 9 anëtarë të familjes së tij, babai, katër vëllezër dhe katër djemtë e vëllezërve.
Shehu: Mu’ më mungojnë edhe dy vetë, vëllai i madh edhe vëllai i dytë
“Mesin e këtyre kanë qenë 9 anëtarë të mi, që janë shtëpisë time baba, 4 vëllezër edhe 4 djemtë e vëllezërve. Në mesin e tyre është edhe Ajvazi. Ky është para 8 viteve i identifikuar. Po, nëna e tij si çdo nënë nuk dëshironte ta pranonte që ai nuk ekziston. Edhe aty është problemi që unë, nëna para 6 viteve ka ndërru jetë, unë vendosa mbasi që 6 të tjerë i kam të varrosur, edhe këtë ta varros. Mu më mungojnë edhe dy vetë. Vëllai i madh edhe vëllai i dytë”, tha ai.
Shehu në këtë ditë të dhimbshme për të tha se është shumë i mërzitur, por pasi e di se ku është, është më e lehtë që ta ketë afër.
Shehu: Jeta është shumë e dhimbshme, po kur po e di se ku ekziston edhe ku është
“Po. Ky do të varroset si do t’ju bashkohet edhe këtyre trupave të tjerë që janë. Përndryshe edhe babës vet, se babai i tij është babai im. Për mua çka me thënë, jeta është shumë e dhimbshme, po kur po e di se ku ekziston edhe ku është, barem kjo për mua është shumë më lehtë që ta kem. Djali ka qenë 16 vjeçar”, tha ai.
Krusha e Madhe përkujton sot të vrarët dhe të masakruarit nga forcat serbe, ku nuk janë kursyer as gratë, fëmijët dhe pleqtë.
27 vite më parë, konkretisht më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.
Masakra e Krushës së Madhe është një nga masakrat më të turpshme e kryer mbi popullsinë civile dhe njëra ndër masakrat dhe vrasjet masive që u bënë prej paramilitarëve, policisë dhe ushtrisë okupuese serbe anekënd Kosovës, përcjell KosovaPress.
Për kriminelët serb masakra ishte diçka e zakontë, diçka që sipas tyre duhej të ndodhej vetëm me qëllimin të eliminimit të popullsisë shqiptare në Kosovë.
