Lajme

Rrëfim pas 25 vjetësh, si u vra 15 vjeçari nga sulmi i serbëve me granata

 
   

Në mesditën e 29 janarit të vitit 2001 në veriun e Mitrovicës u hodhën dy granate dore, ku si pasojë kishte mbetur i vrarë 15 vjeçari, Gazmend Ibrahimi dhe ishte plagosur vëllai i tij, Armendi.

25 vite më vonë familjarët e Gazmend Ibrahimi, rrëfejnë për KosovaPress, se si sulmit i priu tensioni i vazhdueshëm mes serbëve dhe shqiptarëve për largimin e këtyre të fundit nga shtëpitë e tyre. Ata treguan se gjatë kësaj periudhe vetëm kishin filluar të bëjnë roje në këtë zonë.

Gazmendi nga familjarët kujtohet si një djalë i qet dhe me një vullnet të madh për jetën, ndërsa dëshira e tij e vetme ishte që gjithmonë të jetonte në vendlindje.

Disa ditë para rastit serbët e kishin larguar një familje shqiptare me forcë nga shtëpia në pjesën e epërme të rrugës, çka i shtyu banorët të organizohen dhe të bëjnë roje natë pas nate, nga frika e përshkallëzimit dhe tentimeve të tjera për dëbime.

Ibrahimi: Një grup i madh serbësh u shfaq në lagje dhe hodhi dy granata dore

“Kjo ka ndodhur më 29 janar…Kjo kishte ndodhur disa ditë më herët, disa serbë, një familje, e kanë larguar prej një pjesë më lart të rrugës, aty ku ka ndodhur ngjarja, veç një pjesë më lart e kanë larguar prej shtëpisë. Edhe këta banorët e lagjes filluan të organizohen, bënin roje për mos me ardh prapë deri tek largimi i familjes, sepse ata tentonin çdoherë të na largojnë prej lagjes, prej shtëpive, dhe kështu bënin roje çdo natë për mos me ardh prapë të ndonjë ekses, të ndonjë largimi të ndonjë familjeje. Kështu që deri më datën 29, kur ndodhi rasti, roje kanë bërë mirë, por serbët kanë qenë të organizuar dhe me numër të madh; një rrugë më lart kanë kaluar kjo masë e madhe dhe i kanë hedhur dy granata dore. Gazmendi është vrarë, janë plagosur edhe shumë, shumë banorë të lagjes, po ashtu edhe vëllai i Gazmendit, Armendi, ka qenë i plagosur në mesin e tyre”- tha Ibrahimi.

Familja e mori lajmin pak çaste pas shpërthimeve, pasi kishte dëgjuar granatat, por pa e ditur saktësisht çfarë kishte ndodhur, pasi në atë moment ndodheshin në shtëpi, në të njëjtën lagje ku ndodhi rasti.

Ibrahimi: Fillimisht u njoftuam nga fqinjët dhe më pas morën thirrje nga spitali, por aty u konfirmua se Gazmendi kishte ndërruar jetë

“Po e kemi marrë vesh se e kemi dëgjuar edhe granatat kur janë hedhur, por s’kemi ditur saktë, se unë kam qenë në shtëpi këtu, në lagjen bash në atë vendin ku ka ndodhur, edhe kemi marrë vesh prej fqinjëve këtu. Na kanë lajmëruar në spital, mirëpo ka ndërruar jetë, edhe e kemi marrë vesh menjëherë. Lajmi i vështirë, por duhet me u pajtu, ka ndodhur kjo”– tha Agim Ibrahimi.

Ai thotë se pas djegies së shtëpive, familja nuk kishte ku të kthehej dhe për rreth tetë muaj qëndroi te miqtë, derisa rregulluan një dhomë të vogël dhe u kthyen në lagje.

Ibrahimi: Në Shqipëri kemi qenë deri kur kanë filluar me u kthy, kur kanë hy forcat e NATO-s

“Po ka qenë dëshira me u kthyer në shtëpi, mirëpo shtëpitë, si shumica në Kosovë që kanë qenë të djegura, nuk kemi pas ku të kthehemi këtu. Mirëpo kemi qëndruar te miqtë, te dajtë e Gazmendit, rreth 8 muaj. Afro 8 muaj më vonë kam ardhur dhe e kam meremetuar, u ka bërë një dhomë të vogël aty tek një shtëpi e vogël, e kam rregulluar sa me u kthyer, dhe jemi kthyer këtu për të banuar. Me kalimin e kohës kështu ka vazhduar, derisa kemi filluar edhe ndërtimin e shtëpisë. Por vullnetin më të madh e ka pasur i ndjeri Gazmendi shumë për jetë, dhe ne të gjithë kemi qenë të vendosur të mbetemi këtu, mos me u larguar prej këtu. Në Shqipëri kemi qenë deri kur kanë filluar me u kthyer, kur kanë hyrë forcat e NATO-s, dhe ne jemi kthyer pas disa ditëve”- deklaroi Agim Brahimi babai i Gazmend Ibrahimit.

Agim Ibrahimi përfundon rrëfimin duke treguar se Gazmendi gjithmonë dëshironte të kthehej në shtëpi. Ai kishte një dashuri të madhe për jetën, ishte i hapur, i vendosur dhe me vullnet të fortë për gjithçka, veçanërisht për të qëndruar në vendlindjen e tij.

Ibrahimi: Ai kishte një dashuri të madhe për jetën dhe gjithmonë dëshironte të kthehej në shtëpi

“Po shumë ka pasur fjalë, thoshte çdoherë: “Po, po kthehemi në shtëpi.” Ai çdo ditë vinte; ne kemi banuar në Tavnik. Ai shpesh vinte, e kishte shoqërinë e tij, dhe ne thoshim: “Jo, s’duam me u kthyer, jo s’duam me u kthyer.” Por ktheheshim, ktheheshim, dhe gjithmonë kishte vullnet për t’u kthyer këtu, ku ka jetuar dhe ku ka lindur. Gazi ka qenë shumë, shumë fëmijë, e ka dashur jetën, ka qenë i hapur dhe e ka dashur jetën shumë, shumë, shumë, e ka dashur gjithçka, ka pasur vullnet për jetën dhe për gjithçka“- ka përfunduar ai.

Me 29 janar 2001, nga hedhja e një granate u vra 15-vjeçari Gazmend Ibrahimi, ndërsa u plagos vëllai i tij, Armend Ibrahimi. Sot shënohen 25 vjet nga kjo humbje.

 
 
 
 

 

Të Ngjashme