Bashkia e Elbasanit reagoi sot lidhur me rrugën e fshatit Tudan, e cila ka pësuar rrëshqitje të konsiderueshme të dherave.
Sipas bashkisë, shirat që përfshinë të gjithë territorin në muajt nëntor 2025 – shkurt 2026 sollën problematika edhe në bashkinë e Elbasanit.
“Në fillim të muajit janar Agjencia e Shërbimeve Publike dhe Emergjencat Civile, pranë bashkisë së Elbasanit u njoftuan për bllokimin e një prej rrugëve që lidh fshatin Tudan. Prej asaj kohe nga ekipet tona është ndërhyrë disa herë për pastrimin, ndërkohë që situata është përsëritur vazhdimisht. Agjencia e Shërbimeve Publike tentoi të mbajë rrugën të hapur derisa situata u kthye në rrezik edhe për punonjësit duke u detyruar të largojmë makineritë për shkak të rrëshqitjes së vazhdueshme”, theksoi bashkia, në një postim në rrjetet sociale.Të ndodhur në të tilla kushte, bashkia e Elbasanit më 16 janar të këtij viti ka kërkuar një vlerësim të specializuar nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar.
Ekspertët e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar kryen veprimet e nevojshme në terren dhe theksuan se nevojitet një studim i thelluar gjeologo-inxhinierik për të vlerësuar terrenin.
Nga studimi paraprak ekspertët rekomandojnë se gjatë muajve të verës, kur terreni të jetë plotësisht i tharë të punohet për stabilizimin e ujërave sipërfaqësorë (detyrë e cila është kryer tashmë me vendosjen e tubave) dhe të bëhet pastrimi i rrugës shoqëruar me një mur mbrojtës në pjesën e sipërme (ndërhyrje e cila mund të bëhet vetëm në muajt e verës).
Bashkia Elbasan mirëkupton shqetësimin e banorëve të Tudanit për përdorimin e këtij aksi më të shkurtër për ta.
Por nga ana tjetër bashkia sqaron se fshati Tudan nuk është i bllokuar dhe aksesohet nga dy segmente të tjerë. Aksi që lidh fshatin Tudan me qendrën e njësisë administrative, pra me të gjitha shërbimet shëndetësore, komunale etj është plotësisht e aksesueshme.
“Edhe në të tilla kushte vendimin përfundimtar për stabilizimin e plotë të rrugës, do ta japë studimi i thelluar gjeologo-inxhinierik. Mbetemi të palëkundur në bindjen tonë se siguria e përdoruesve të rrugës është e vetmja përparësi”, thekson bashkia.
