Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Rreth një muaj pas kërkesës së AAK-së në Kushtetuese, Kuvendi vazhdon të jetë i bllokuar

 
   

Prej më shumë se një muaji, Kuvendi i Kosovës vazhdon të përballet me bllokadë institucionale, si pasojë e mungesës së konstituimit përfundimtar.

Seancat po mbahen çdo 48 orë, por nuk po arrihet formimi i Komisionit për votim të fshehtë.

Në këtë kontekst, deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të udhëhequr nga Time Kadrijaj dhe të përkrahur nga 10 deputetë të tjerë, kanë dorëzuar që më shumë se një muaj më parë një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese.

Ata kërkojnë shqyrtimin e kushtetutshmërisë së mënyrës së formimit të këtij komisioni gjatë seancës konstituive të Kuvendit, që u mbajt më 5 maj 2025.

AAK ka shprehur shqetësime lidhur me procedurat e ndjekura, duke vënë në dyshim përputhshmërinë e tyre me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit të Kosovës.

Lidhur me këtë çështje, Zyra për Media e Gjykatës Kushtetuese ka konfirmuar për Telegrafin se rasti është ende në shqyrtim.

Në një përgjigje zyrtare, Gjykata ka bërë të ditur se ende nuk është marrë ndonjë vendim.

Kjo kërkesë është duke u shqyrtuar nga Gjykata. Vendimi do të merret pasi që Gjykata të shqyrtojë të gjitha aspektet kushtetuese të çështjes së parashtruar në kërkesë dhe për vendimmarrjen e saj do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit dhe opinioni”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese.

Gjithashtu, në Gjykatë janë dorëzuar edhe komentet e deputetëve të tjerë në lidhje me këtë kërkesë, çka tregon për një përfshirje të gjerë institucionale në shqyrtimin e çështjes.

AAK vazhdon të këmbëngulë se krijimi i komisionit për votim të fshehtë është bërë në kundërshtim me normat kushtetuese dhe ligjore, duke kërkuar nga Gjykata një sqarim të qartë mbi ligjshmërinë e këtij veprimi.