Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka shprehur shqetësim të thellë për stërvitjet ushtarake të zhvilluara nga Serbia në territorin e Komunës së Bujanocit, pranë kufirit me Republika e Kosovës.
Ai ka theksuar se aktivitetet, sidomos ato me kapacitete ajrore pranë zonave të banuara, rrisin tensionet dhe ndikojnë në perceptimin e sigurisë së komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës, transmeton “Bota sot”.
Kamberi ka bërë thirrje për ndërhyrje të bashkësisë ndërkombëtare, për respektim të normave ndërkombëtare dhe për rishikimin e masave të sigurisë, duke përfshirë edhe rolin e NATO-s dhe KFOR-it në ruajtjen e stabilitetit rajonal.
Shkrimi i plotë
Zhvillimi i stërvitjeve ushtarake nga Serbia në territorin e Komunës së Bujanocit, në afërsi të kufirit me Republikën e Kosovës, paraqet një çështje me rëndësi për mjedisin e sigurisë në rajon.
Aktivitetet e tilla, veçanërisht kur zhvillohen pranë zonave të banuara dhe përfshijnë kapacitete ajrore, ndikojnë në perceptimet e sigurisë së komuniteteve lokale, në veçanti të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Në kontekstin e sigurisë rajonale, këto zhvillime mund të interpretohen si faktorë që ndikojnë në rritjen e tensioneve dhe në uljen e besimit ndërmjet aktorëve lokalë.
Duke marrë parasysh rëndësinë e stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor, mbetet thelbësore që të veprohet me përmbajtje dhe në përputhje me parimet e sigurisë bashkëpunuese. Në këtë drejtim, roli i bashkësisë ndërkombëtare është kyç për të inkurajuar dialogun konstruktiv, transparencën dhe shmangien e veprimeve që mund të perceptohen si provokuese.
Ruajtja e një mjedisi të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm të sigurisë kërkon angazhim të vazhdueshëm për respektim të normave ndërkombëtare dhe forcim të mekanizmave për parandalimin e krizave. shtuarja e forcave të KFOR-it është e rëndësisë primare.
Duke pasur parasysh provokimet e vazhdueshme të regjimit të Vuçiqit ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në Luginë, NATO duhet të mendojë për rishikimin e vendimit për Zonën Toksore të Sigurisë.
