Lajme

Rreziku i zgjedhjeve të jashtëzakonshme, Qarri kundër dekretit të Osmanit – ky është paralajmërimi i tij

Analisti politik, Gani Qarri ka kritikuar vendimin e presidentes Vjosa Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe jo kushtetuese, pasi tri raundet e votimit parlamentar për presidentin nuk ishin konsumuar.

 Ai ka vlerësuar se po cenohet vullneti i sovranit dhe se partitë politike po manipulojnë votën e qytetarëve.

Nëse edhe Gjykata Kushtetuese mbështet zgjedhjet e jashtëzakonshme pak muaj pas atyre të 28 dhjetorit, Qarri ka thënë se populli duhet të bojkotojë masivisht zgjedhjet për të mos lejuar keqpërdorimin e votës.

Image
Gani Qarri

“Fakti se ende nuk ishin konsumuar tri raundet e parapara me ligj, të votimit parlamentar për zgjedhjen e presidentit, vendimi i njëanshëm i zonjës Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit, në këtë fazë të procesit, përveçse nuk ishte i drejtë, ai nuk ishte as kushtetues, ndaj duke pasur parasysh se po nëpërkëmbet kaq brutalisht vullneti i sovranit, dhe nga të gjitha partitë politike, përfshi edhe presidenten e vendit, po luhet publikisht me votën e lirë të qytetarit, nëse edhe Gjykata Kushtetuese bëhet pjesë lojërave të partive politike dhe shpallë shkuarjen në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, vetëm 3-4 muaj pas votimeve të 28 dhjetorit, populli i Kosovës duhet ti bojkotojë masovikisht ato dhe të mos marr fare pjesë në votime, në mënyrë që të mos lejojë të keqpërdoret vota e tij për aventurat e çmendura të partive politike”, ka deklaruar ai për “Bota sot”. 

Po ashtu, Qarri ka potencuar se edhe nëse Gjykata Kushtetuese mbështet dekretin e Osmanit për zgjedhje të jashtëzakonshme, kjo nuk zgjidh çështjen e presidentit, prandaj zgjedhjet e reja janë të panevojshme.

“Për aq më keq, në rast se Gjykata Kushtetuese vendos në favor të dekretit të Presidentes Osmani për ta dërguar vendin në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, edhe në situatën aktuale politike, as vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk mund ta ndryshojë rrjedhën e zhvillimeve dhe çështja e postit të presidentit/es të vendit mbetet serish e pazgjidhur, prandaj nuk shoh asnjë arsye të vetme që të shkohet në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, ndryshe populli i Kosovës nuk duhet ti lejoj vetes, të bëhet pjesë e lojërave të tilla të çmendura partiake, që tash e mbi një vit, po zhvillohen, në mënyrë të pakuptueshme, nga kasta e degjeneruar politike në Kosovë.

 

Me këtë rast duhet cekur edhe njëherë, që para se të shkohet në zgjedhje, plotësisht të panevojshme, afati i paraparë ligjor prej 60-ditëve për zgjedhjen e presidentit, do të mund të shfrytëzohej për parandalimin e ngërçeve të reja dhe mënjanimin e përsëritjes së bllokadave institucionale, por për të pasur sukses në këtë drejtim, është i nevojshëm një konsensus politik, qoftë për t’i miratuar amendamentet për zgjedhjen e presidentit nga populli i Kosovës, apo për arritjen e një marrëveshje për një kandidat konsensual që do t’i garantonte votat e nevojshme për zgjedhjen president, në vend se të shkohet përsëri në zgjedhje të reja, vetëm sa doli vendi nga ngërçi i gjatë mese 1 vjeçar politik dhe 3-4 muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025”, ka theksuar ai.

Në fund, Qarri ka vlerësuar se dekreti i Vjosa Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit ka komplikuar më shumë zgjedhjen e presidentit, prandaj fjalën përfundimtare duhet ta japë Gjykata Kushtetuese, pasi parlamenti nuk mund të veprojë pa vendimin e saj.

 “Kështu që, duke qenë se, se sipas ligjit në fuqi, shpërndarja e Kuvendit parashihet të ndodh vetëm pasi të konsumohen tri raunde të votimit, nëse të tria ato, dështojnë për zgjedhjen e presidentit, dekreti i nxituar kundër-kushtetues i Vjosa Osmanit, ka rënduar edhe më tepër gjendjen, andaj lidhur me vendimin për shkuarje apo jo në zgjedhje të reja të parakohshme, në mënyrë që të mos kemi kriza të reja dhe përsëritjen e ngërçeve të vazhdueshme politike në vend, fjalën përfundimtare duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese, sepse dekreti i pavend dhe plotësisht kundër-kushtetues për shpërndarjen e Kuvendit, i presidentes, e ka komplikuar edhe shumë më keq gjetjen e zgjidhjes së çështjes së votimit të presidentit, pasi që parlamenti është i bllokuar dhe nuk mund të marrë asnjë lloj veprimi, pa vendimi të Kushtetueses, për votimin e presidentit të ardhshëm”, ka përfunduar Qarri .

Të Ngjashme