Shqipëria njihet si një vend turistik, sidomos gjatë sezonit veror, kur plazhet frekuentohen nga mijëra qytetarë të Kosovës.
Megjithatë, një paralajmërim i bërë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë për rreziqe nga grupe të lidhura me Iranin ka shkaktuar shqetësime.
Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, në një prononcim për “Bota Sot”, ka theksuar se ky paralajmërim duhet marrë seriozisht.

Bedri Elezi
Ai ka shtuar se këto njoftime shpesh bazohen në analiza inteligjence dhe nuk nënkuptojnë gjithmonë kërcënime të menjëhershme.
“Paralajmërimi i Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë për rreziqe të mundshme nga grupe të lidhura me Iran është një sinjal i rëndësishëm sigurie që duhet marrë seriozisht nga institucionet dhe publiku. Megjithatë, është e rëndësishme të kuptohet se paralajmërime të tilla shpesh janë parandaluese dhe bazohen në analiza të inteligjencës, jo domosdoshmërisht në kërcënime konkrete dhe të menjëhershme.
Shqipëria konsiderohet një objektiv i mundshëm kryesisht për shkak të strehimit të elementëve të opozitës iraniane, konkretisht anëtarëve të MEK, si dhe për shkak të lidhjeve të forta strategjike që Tirana ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo e vendos vendin në një pozicion të ekspozuar ndaj tensioneve gjeopolitike që tejkalojnë rajonin”, ka shtuar ai.
Gjithashtu, Elezi ka theksuar se ndikimi ekonomik dhe turistik pritet të jetë i kufizuar, pasi Shqipëria mbetet një destinacion relativisht i sigurt.
Ai ka shtuar se përsëritja e paralajmërimeve mund të ndikojë psikologjikisht tek turistët dhe operatorët, veçanërisht para sezonit veror.
“Sa i përket nivelit të rrezikut, aktualisht nuk ka indikacione publike për një kërcënim të drejtpërdrejtë apo të afërt. Megjithatë, paralajmërimi sugjeron nevojën për vigjilencë të shtuar, rritje të masave parandaluese dhe koordinim të ngushtë ndërmjet institucioneve të sigurisë në Shqipëri dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Në aspektin ekonomik dhe turistik, ndikimi i menjëhershëm pritet të jetë i kufizuar. Shqipëria mbetet një destinacion relativisht i sigurt dhe tërheqës për turistët ndërkombëtarë. Megjithatë, perceptimi i sigurisë është faktor kyç në turizëm. Nëse këto paralajmërime përsëriten apo intensifikohen, mund të ketë ndikim psikologjik tek turistët potencialë dhe operatorët turistikë, sidomos në prag të sezonit veror”, ka shtuar ai.
Në fund, Elezi ka cekur se nuk ka kërcënim të drejtpërdrejtë, por kërkohet vigjilencë për të mbajtur situatën nën kontroll pa panik.
“Prandaj, reagimi më i duhur është transparenca institucionale, forcimi i masave të sigurisë në hapësira publike dhe komunikimi i qartë me publikun dhe partnerët ndërkombëtarë, për të garantuar që situata është nën kontroll dhe nuk ka vend për panik”, ka përfunduar Elezi.
