Lajme

Rrëzohet ankesa e Thaçit, juristët shpjegojnë pasojat e vendimit – epilogu mund të vendoset së shpejti

 
   

Procesi në Hagë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së po vazhdon tash e sa vite, derisa tani është afruar fundi i tij.

Së fundi, Hashim Thaçi është refuzuar nga Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese (DhSGjK) në rastin e ankesës së tij ku pretendoheshin shkelje të të drejtave të tij themelore në lidhje me caktim e Gjykatëses së Procedurës Paraprake dhe Gjykatësit të Vetëm në çështjen gjyqësore kundër tij lidhur me administrimin e drejtësisë.

“Dhoma konstatoi se disa prej ankesave ishin të parakohshme dhe të tjerat të pabaza dhe, për rrjedhojë, e shpalli të papranueshme kërkesën referuese mbi bazën e rregullës 14 të Rregullores së Punës së DhSGjK-së”, njoftoi DhSK-ja këtë të enjte.

Thaçi ishte ankuar se kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, e shkeli ligjin duke caktuar të njëjtin gjyqtar që ia aprovonte Prokurorisë përgjimet speciale, edhe si gjyqtar që konfirmoi aktakuzën për të njëjtat vepra, dhe i cili më pas merrte edhe vendime tjera për të njëjtin rast gjyqësor.

Për shkak se edhe përgjimet ishin lejuar nga një gjyqtar i caktuar, Thaçi i kishte kërkuar Gjykatës Kushtetuese ta rrëzojë aprovimin e aktakuzës së dytë.

Ndërkohë, Hashim Thaçi ishte ankuar edhe për ligjshmërinë e përgjimeve në qendrën e paraburgimit, mirëpo në dhjetor 2024 Kushtetuesja e Speciales e ka hedhur poshtë atë.

Mirëpo, se si pritet të ndikojë ky vendim, pasi dihet se tani vetëm se këtij procesi gjyqësor i është afruar fundi, folën njohësit e çështjeve juridike.

Halilaj: Është një vendim me karakter kushtetues dhe procedural

Si fillim, për këtë temë, për “Bota sot” foli avokati Gazmend Halilaj, i cili tha se, vendimi i fundit në rastin e Thaçit ka karakter kushtetues dhe procedural.

 Image
 Avokati Gazmend Halilaj 
 

“Vendimi i fundit i Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese për të refuzuar ankesën e ish-presidentit Hashim Thaçi lidhur me pretendimet për shkelje të të drejtave themelore në caktimin e gjyqtarëve, është një vendim me karakter kushtetues dhe procedural. Ai nënkupton se, sipas vlerësimit të kësaj dhome, nuk janë konstatuar shkelje të standardeve themelore të procesit të rregullt ligjor në këtë aspekt të procedurës”.

Krahas kësaj, Halilaj tha se një vendim i tillë nuk do thotë që do ndikojë në epilogun final të këtij procesi gjyqësor, por që sipas tij është thelbësore që të respektohen vendimet e institucioneve gjyqësore.

“Si jurist, vlerësoj se është me rëndësi të theksohet që vendime të tilla nuk paragjykojnë epilogun e çështjes penale dhe as nuk lidhen me vlerësimin e fajësisë apo pafajësisë së të akuzuarit. Ato trajtojnë ekskluzivisht çështje të garantimit të të drejtave procedurale dhe kushtetuese gjatë zhvillimit të procesit

Në çdo sistem demokratik, e drejta për ankim dhe kontroll kushtetues është element thelbësor i mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Por po aq thelbësor është edhe respektimi i vendimeve të institucioneve gjyqësore kur ato janë të arsyetuara dhe të bazuara në ligj”, shtjelloi ai.

Ndër të tjera, avokati potencoi që, beson në integritetin e këtij procesi në Hagë, derisa tha se pavarësia e institucioneve të drejtësisë është garancë për drejtësi të vërtetë.

“Unë e përkrah funksionimin e drejtësisë dhe besoj se integriteti i procesit gjyqësor, pavarësia e gjykatave dhe zbatimi konsekuent i ligjit janë garancia më e mirë për drejtësi të vërtetë. Vetëm përmes një procesi të drejtë, të paanshëm dhe transparent mund të ruhet besimi i publikut në drejtësi dhe në rendin demokratik”, përfundoi Gazmend Halilaj për “Bota sot”.

Burjani: Kjo mund të ndikojë si shtesë në proces, të shohim se si do të përfundojë kjo dramë

Ndërsa, për këtë çështje, foli edhe juristi Blerim Burjani.

Edhe ai beson se vendimi për refuzim të ankesës dhe epilogu final janë gjëra të ndara, por që sipas tij, kjo mbetet sërish në dorë të gjykatës së si do vendosë.

 Image
 Juristi Blerim Burjani 
 

Sipas tij, nuk përjashtohet që një vendim i tillë të ndikojë në proces.

“Janë dy raste ku mund të ketë aktgjykime të ndryshme; nëse do të ketë llogaritje kumulative varet nga gjykata, se si do t’i trajtojë.

Normalisht, kjo mund të ndikojë si shtesë në proces. Të shohim se si do të përfundojë kjo dramë”, deklaroi Blerim Burjani për “Bota sot”.

 
 
 
 

 

Të Ngjashme