Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Rriten pagat në sektorin e ndërtimit në Shqipëri

Sektori i ndërtimit në Shqipëri nuk do të ketë më paga nën 60 mijë lekë.

Sipas Drejtorisë së Tatimeve, lista e pagave indikative synon të mbështesë përpjekjet për reduktimin e informalitetit dhe rritjen e pagesës reale të punonjësve.

Eksperti i tregut të punës, Erion Muça, e sheh udhëzimin e ri si një masë të kushtëzuar, por të dobishme për formalizimin e sektorit.

“E vërteta është që sipërmarrjet në Shqipëri, përgjithësisht e kanë parë punonjësin si kosto të shtuar dhe pagat e ulëta si një mënyrë për të fituar më shumë duke i dhënë më pak. Por kjo filozofi ka krijuar një treg në një hendek të lartë sa i përket informalitetit”, tha eksperti.

Sipas tij, niveli i ri i pagave është më pranë realitetit të tregut të punës dhe ndihmon në korrigjimin e konfliktualiteteve ligjore që kanë lindur në vendet e punës.

“Kanë të bëjë me shpërblimin nga siguracionet apo që kanë të bëjnë me vlerësim real të dëmit mbi bazën e pagës që ti merr nga sistemi i sigurimeve shoqërore apo shëndetësore”, theksoi ai.

Muça thekson se përfituesit kryesorë të kësaj mase do të jenë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat shpesh operonin nën presionin e kostove të ulëta të deklaruara.

“Kjo kategori është ajo që lëviz më shpesh për çështjen e pagës. Pikërisht kjo kategori që kërkon më pak të drejtat sepse nuk e kanë në radhë të parë kulturën për të ditur dhe njohur dhe kërkuar të drejtat e tyre”nënvizoi eksperti.

Në lidhje me sfidat, eksperti vëren se një problem madhor mbetet fragmentimi i kompanive nëpërmjet nënkontraktimit të tepruar.

Sipas tij, praktika e ndarjes së punës në shumë kompani të vogla rrit rrezikun e informalitetit dhe e bën më të vështirë garantimin e një marrëdhënieje të drejtë dhe transparente për punëmarrësit.