Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Rritja e shtesave për lehonat, Cakolli thotë se vendimi i Qeverisë nuk është në përputhje me ligjin

 
   

Qeveria në detyrë e Kosovës sot ka marrë vendim që të rrit shtesat për nënat lehona. Ku sipas rritjes që është bërë, lehonat e papunësuara do të përfitojnë 325 euro për gjashtë muaj, kurse, lehonat e punësuara do të përfitojnë 319 euro për tre muaj. Më herët, lehonat kanë përfituar nga 170 euro.

Eugen Cakolli, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës, ka thënë se vendimi nuk është në përputhje me ligjin.

“Askush s’e konteston që mbështetja e shtetit për lehonat dhe fëmijët është e drejtë dhe e duhur. Por vendimi i sotëm, për të dyfishuar përfitimet e tyre mujore – që në total kap shumën prej 10 milionë eurosh – nuk është në përputhje me ligjin”, tha ai.

Mes tjerash, ai ka shkruar se “Ligji parashikon që një qeveri në dorëheqje të kufizohet në ushtrimin e funksioneve teknike, të paraplanifikuara dhe brenda buxhetit vjetor e Planit të Punës të miratuar më parë. Asaj nuk i jepet e drejta të ndërmarrë veprime që ndryshojnë natyrën e përfitimeve publike apo krijojnë obligime të reja fiskale”.

“Edhe nëse nuk ndalohet shprehimisht çdo formë e vendimmarrjes, ligji vendos një standard, sipas të cilit, Qeveria në largim nuk mund të marrë vendime (politika apo emërime) që do t’i takonin një qeverie të ardhshme”, ka deklaruar ai.

Cakolli shton tutje se “Vendimi i sotëm nuk është as i planifikuar, as i justifikuar nga ndonjë situatë emergjente. Përkundrazi, ai përfaqëson një ndryshim të rëndësishëm në politikën sociale dhe fiskale, duke shkuar përtej rolit teknik të një qeverie kalimtare”.

“Përmes këtij akti, Qeveria ka kaluar nga roli i administrimit të përkohshëm institucional në pozitë politikëbërëse – pa mandat, pa kontroll parlamentar dhe jashtë çdo logjike demokratike. Pikërisht për këtë arsye, ky nuk është thjesht interpretim tekstual i nenit 31 të Ligjit për Qeverinë. Është një interpretim që buron nga logjika kushtetuese e kufizimit të pushtetit në periudha pa mandat – me synimin për të ruajtur ekuilibrin institucional, për të shmangur vendimmarrje të njëanshme dhe për të garantuar se orientimi i politikave të reja u takon vetëm një shumice të re legjitime.

Një interpretim që do të duhej ta kishte edhe qeveria aktuale në largim…”, përfundon reagimi i tij.