Rrushi i thatë është një ushqim i shëndetshëm për njerëzit e të gjitha moshave, pasi është një burim i pasur vitaminash, mineraleve dhe elektroliteve. Ai ofron shumë përfitime shëndetësore që ndikojnë pozitivisht në organizëm.
Ky frut i thatë përmban kalium, magnez, kalcium dhe vitaminë K, duke ndihmuar në parandalimin e dëmtimit të dhëmbëve, përmirësimin e tretjes, si dhe në luftën kundër diabetit dhe kancerit. Rrushi i thatë ka gjithashtu ndikim të rëndësishëm për shëndetin e zemrës, duke ulur rrezikun e infarktit, goditjes në tru dhe hipertensionit. Ekspertët shpjegojnë se kjo ndodh për shkak të niveleve të larta të kaliumit që gjenden në rrushin e thatë.
Përveç kësaj, ai përmban hekur, që ndihmon në parandalimin e anemisë dhe përshpejton mpiksjen e gjakut pas dëmtimeve. Hulumtimet tregojnë se rrushi i thatë ka edhe antioksidantë të fuqishëm, të cilët luftojnë radikalet e lira dhe zvogëlojnë rrezikun e dëmtimit të qelizave, një faktor kyç që mund të çojë në zhvillimin e kancerit.
Konsumi i rregullt i rrushit të thatë mund të jetë një ndihmë natyrale për mirëqenien e trupit dhe parandalimin e sëmundjeve të ndryshme, duke e bërë atë një pjesë të rëndësishme të dietës ditore.
