Lajme

Rrustem Berisha rrëfen lavdinë e Betejës së Koshares: 9 prilli 1999, dita më e lumtur e jetës sime

Ish-komandanti Rrustem Berisha ka rrëfyer për lavdinë e Betejës së Koshares në “Edicionin Special”, duke e cilësuar 9 prillin e vitit 1999 si një nga ditët më të lumtura të jetës dhe karrierës së tij.

Ai tha se ajo ditë i kujton fitoren e madhe kundër armikut dhe heqjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, që ka ndarë shqiptarët për dekada.

“9 prilli i vitit 1999 na kujton ndoshta ditën më të lumtur të jetës ose karrierës sonë, na kujton fitoren e madhe që e kemi arritur ndaj armikut, heqjen e kufirit shqiptaro –shqiptar që i ka ndarë shqiptarët me dekada. Është e paharrueshme për të gjithë ne. Është një kujtim, një ditë krenarie për të gjithë pjesëmarrësit e Betejës së Koshares”, tha ai.

Berisha theksoi rëndësinë e bashkimit dhe përzgjedhjes së drejtimit të sulmit, duke shtuar se historia e Malësisë së Gjakovës ka luajtur një rol të madh në suksesin e betejës.

Ai përmendi gjithashtu përgatitjet dhe planin e hartuar nga Agim Ramadani, duke e vlerësuar moralin e lartë të luftëtarëve si një faktor kyç për arritjen e kësaj fitoreje të madhe.

“Mendoj që janë disa faktorë që kanë ndikuar në suksesin e kësaj beteje. Një është përzgjedhja e drejtimit të sulmit. Ne jemi bazuar edhe në historinë e Malësisë së Gjakovës që kanë qenë çdo herë besnikë ndaj kauzës sonë kombëtare. Ka qenë e domosdoshme që të bashkohemi sepse vetëm të bashkuar e ‘kemi pushkën më të fuqishme’”.

“Përgatitjet, poashtu edhe hartimi i planit që është prezantuar nga Agim Ramadani. Të gjitha janë këto faktorë kyçë, mbi të gjitha ishte morali i luftëtarëve për një sukses të tillë…”, tha Berisha.

Të Ngjashme