Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Rrustem Mustafa: “Blloku i Keq” s’fillon e s’mbaron me Nazim Bllacën!

 
   

Ish-komandanti i UÇK-së, Rrustem Mustafa, ka theksuar se rreziku për Kosovën nuk qëndron vetëm te figura e diskutueshme e Nazim Bllacës, por te i ashtuquajturi “Blloku i Keq” ruso-serb që, sipas reagimit, ka ndërtuar ndër vite kurthe për të njollosur UÇK-në dhe themelet e shtetit.

Sipas tij, lufta hibride është reale dhe zhvillohet përmes lajmeve të rreme, përmbysjes së narrativave dhe sulmeve ndaj institucioneve shtetërore. Paralajmërohet se figura të kompromentuara po përdoren për të rikthyer këtë rrezik në opinion publik.

Ai bënë thirrje për vigjilencë dhe unitet qytetar në mbrojtje të shtetit dhe institucioneve të tij.

Shkrimi i plotë:

“Blloku i Keq” s’fillon e s’mbaron me Nazim Bllacën!

Nuk mund të lejojmë që e vërteta të përkufizohet me kurthet e ndërtuara me vite nga mekanizmat ruso-serbë. Ata kanë ndërtuar çdo hap për të njollosur UÇK-në, udhëheqësit e saj dhe vetë themelet e lirisë sonë – duke kulmuar me krijimin e një gjykate të veçantë që shumë herë duket më shumë si instrument politik sesa drejtësie.

Sot, e keqja përpiqet të reduktohet, të ripaketohen dhe të rikthehet përmes figurave të kompromentuara si Nazim Bllaca – një individ që nuk mund dhe nuk guxon të përfaqësojë as të keqen tonë, e aq ngushtë dhe aq më pak të vërtetën, e vërteta është “blloku i keq” ruso serb.

Për fat të keq, një pjesë e mediave tona ose janë të zhytura në joprofesionalizëm, ose po bien në grackën e atij “blloku të keq” ruso-serb që kërkon të destabilizojë besimin në shtet, në sektorët e sigurisë dhe në institucionet e republikës.

Vëllezër e motra, kujdes!

Lufta hibride është reale. Ajo zhvillohet me lajme të rreme, me përmbysje të narrativës, dhe me sulme ndaj policisë, ushtrisë e drejtësisë sonë – që janë themelet e sigurisë dhe rendit në Republikën e Kosovës.

Të qëndrojmë bashkë, të vëmendshëm dhe në mbrojtje të shtetit tonë.

Mos e reduktoni një strategji antishtet në një të marrë!

Lufta hibride ka fytyrë më të thellë se një dëshmitar i rrejshëm!

Rreziku s’quhet vetëm Bllaca – por “Blloku i Keq” që e lindi!