Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Rrustem Mustafa: Koha për marrëveshje politike, jo për rrënim të të arriturave, me këto fjalë i drejtohet PDK-së

 
   

Ish-deputeti dhe anëtari i PDK-së, Rrustem Mustafa, ka bërë thirrje për një marrëveshje politike që do të siguronte stabilitet institucional dhe orientim euroatlantik të Kosovës.

Në një reagim publik, ai tha se në këtë moment kyç, politika duhet të përdoret për të ndërtuar besim dhe për të forcuar institucionet, jo për të dëmtuar arritjet e deritanishme. Mustafa theksoi se është koha që Lëvizja Vetëvendosje të ndërtojë qeverinë, ndërsa PDK të mbështesë në pika të dakorduara me afate të qarta, për të garantuar funksionalitet dhe stabilitet.

Ai shtoi se askush nuk mund ta ndalë rrugën e Kosovës drejt vlerave euroatlantike dhe theksoi rëndësinë e aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si bazë e qëndrueshmërisë së vendit.

Postimi i plotë:

Koha për Marrëveshje Politike për të ecur përpara, jo për të rrënuar të arriturat!

Në këtë moment kyç për vendin, politika duhet të përdoret si instrument për të ndërtuar besim, kulturë institucionale dhe angazhim të përbashkët për zhvillim, e jo për të stërkequr atë që është arritur me shumë mund dhe përkrahje ndërkombëtare.

Është koha që Lëvizja Vetëvendosje të ndërtojë qeverinë, dhe që PDK të jetë mbështetëse në pika të dakorduara, me afate të qarta dhe të përcaktuara, për të krijuar stabilitet dhe funksionalitet institucional.

Asnjë akter, as në pozitë e as në opozitë, nuk mund ta ndalë rrugën tonë drejt vlerave euroatlantike. Të arriturat tona janë edhe fryt i aleancës së qëndrueshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ato nuk mund të dëmtohen nga askush.

Kosova nuk ka kohë për kthime prapa.

Lëvizim drejt të ardhmes me institucione të fuqishme, me besim të ndërsjellë, me orientim të qartë euroatlantik dhe me aleancën me SHBA-në si bosht të qëndrueshmërisë sonë.