Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme me të cilën ndalohet çdo veprim i Presidentes së Republikës së Kosovës dhe i Kuvendit në lidhje me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, deri më 31 mars 2026.
Për këtë, deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi ka deklaruar se partia në pushtet ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese të merr masë të përkohshëm për dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit.
Sipas tij, dekreti i presidentes është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, pasi sipas tij, s’është autorizim i presidentes së vendit për të ndërhyrë në mandatin në funksionimin e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit.
Ai thekson se dekreti është i pabazuar, duke cekur se presidentja ka qenë e vetëdijshme se dekreti është në kundërshtim me Kushtetutën.
“E kemi mirëpritur vendimin për masë të përkohshme, ne kemi pritur dhe kemi kërkuar masë të përkohshme për të kufizuar dhe për t’i shmangur pasojat e pakthyeshme nga ky dekret, në anën tjetër padyshim jemi të bindur se kërkesa jonë është e bazuar sepse dekreti i presidentes është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk është autorizim i presidentes për të ndërhyrë në mandatin në funksionimin e legjislativit në rastin konkret të Kuvendit të Kosovës dhe për të ndërprerë në mënyrë arbitrare mandatin e deputetëve. Dekreti i presidentes është krejtësisht i pabazuar, nuk ishte në përputhje. Besoj që presidentja e Kosovës është e vetëdijshme se dekreti është në kundërshtim me kushtetutën”, ka deklaruar Rrustemi.
Ndërkohë, ai ka kritikuar opozitën e cila angazhimin e tyre e kanë negativ, duke pretenduar që ta pamundësojnë e vështirësojnë qeverisjen e LVV-së.
“Ka kohë që opozita jonë angazhimin politik dhe elektoral nuk e artikulon në mënyrë të zakonshme siç bëjnë partitë politike për t’u ofruar alternativë dhe platformë para qytetarëve dhe për t’u angazhuar për t’i fituar zgjedhjet, por gjithë angazhimin e kanë negativ si ta zbresin e ta pamundësojnë e vështirësojnë qeverisjen e LVV-së”, shtoi ai.
