Prokurorja e Gjykatës së Avellinos, Cecilia De Angelis, ka kërkuar dërgimin në gjyq të gjashtë personave të hetuar për vdekjen e 16-vjeçares Mariantonietta Cutillo, e cila u godit nga rryma elektrike ndërsa, me telefonin në karikim, po bënte një video-telefonatë me një shoqe nga vaskën e banjës në shtëpinë e saj në Montefalcione më 2 maj 2023.
Kërkesat për gjykim, për të cilat do të vendosë në seancën e caktuar më 18 qershor, përfshijnë tre shtetas kinezë, dy prej të cilëve banues në Milano, në cilësinë e importuesve të karikuesit që ra në ujë dhe që dyshohet se shkaktoi vdekjen e menjëhershme të vajzës.
E njëjta kërkesë është bërë edhe për dy tregtarë që jetojnë në provincat e Pisa-s dhe Lucca-s, shpërndarës të pajisjes që, sipas hetimeve, përdorte një markë të rreme të BE-së.
I gjashti i hetuar, i akuzuar vetëm për mashtrim tregtar (ndërsa të tjerët edhe për vrasje nga pakujdesia), është pronari i një dyqani kancelarie në Montefalcione, i cili dyshohet se ka vazhduar të shesë karikuesin edhe pas vdekjes së vajzës. Prindërit e saj janë paraqitur si palë civile në proces.
Sipas prokurores, pajisja kishte një kondensator qeramik me cilësi të dobët. Përkeqësimi i tij bëri që të dështonte izolimi midis rrjetit elektrik dhe trupit të pajisjes. Kur telefoni ra në ujë, vajza ka hyrë në kontakt me tensionin elektrik dhe për pasojë u godit për vdekje nga rryma./Shqip
