Lajme

Rutte: NATO dhe Danimarka do të forcojnë angazhimin në Arktik

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte dhe kryeministrja daneze, Mette Frederiksen ranë  sot dakord se aleanca ushtarake duhet të punojë për të forcuar sigurinë në Arktik, pas qëndrimit të Donald Trump, i cili ka kërcënuar të marrë në zotërim Grenlandën.

“Po punojmë së bashku për të garantuar sigurinë e gjithë NATO-s dhe do të mbështetemi në bashkëpunimin tonë për të forcuar mbrojtjen në Arktik”, shkroi Mark Rutte në rrjetin X pas takimit me kryeministren daneze në Bruksel.

Mette Frederiksen, e cila më pas duhej të udhëtonte në Nuuk, Grenlandë, për të takuar homologun e saj Jens-Frederik Nielsen, tha se u arrit një marrëveshje mbi parimin e forcimit të angazhimit të NATO-s në rajonin arktik.

“Mbrojtja dhe siguria në Arktik janë një shqetësim për gjithë aleancën”, theksoi Frederiksen në X.

Takimi me Mark Rutte u zhvillua pas deklaratës së Donald Trump, i cili pretendoi se kishte arritur një  marrëveshje kuadër me kreun e NATO-s për Grenlandën, territor autonom arktik, të cilin presidenti amerikan ka kërcënuar ta marrë.

Njoftimi nuk u shoqërua me detaje për përmbajtjen e marrëveshjes.

Por, disa zyrtarë të NATO-s thanë se forcimi i sigurisë në Arktik ishte një nga elementët e kësaj marrëveshjeje kuadër.



Të Ngjashme