Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, është përballur të martën me pyetje lidhur me Grenlandën gjatë Forumit Global të Evropës “Rinovojeni Evropën”, ku ka zgjedhur të shmangë përgjigjet direkte dhe të përqendrohet në sigurinë rajonale.
Kur iu bë pyetja për Grenlandën, Rutte e nisi përgjigjen duke kujtuar për prioritetet e administratës së mëparshme amerikane në Arktik: “Siç e dini, kemi tetë vende të Veriut të Epërm në Arktik. Njëra është Rusia, jashtë NATO-s, dhe shtatë janë brenda NATO-s. … Këto shtatë vende në thelb kufizohen me Arktikun, dhe ishte Presidenti Trump në mandatin e tij të parë, siç thashë, ai që në thelb na paralajmëroi për faktin se po hapen rrugë detare, se Rusia dhe Kina janë më aktive dhe se duhet të bëjmë më shumë atje së bashku.”
Megjithatë, kur u shty të përgjigjej direkt për Grenlandën dhe ndikimin e mundshëm të SHBA-së, Rutte foli në mënyrë të përgjithshme mbi forcimin e sigurisë rajonale.
Një eurodeputete daneze theksoi shqetësimin e popullit të Grenlandës dhe theksoi se nuk ka anije ruse apo kineze në zonë.
Përgjigjja e Rutte, sipas citimit të Guardian, ishte: “Roli im është të zgjidh problemet dhe jo të komentoj debatet e vazhdueshme midis aleatëve.”
Pastaj atij iu bë një pyetje tjetër, ku e pyesin me qëllim nëse – në parim – është e pranueshme që një aleat i NATO-s të kërcënojë me përdorimin e forcës për të marrë territorin e një tjetri.
Rutte tha se është në thelb e njëjta pyetje si më parë dhe se refuzon të përgjigjet.

