Zëvendëskryeministri i parë dhe njëri nga liderët e VLEN, Bekim Sali ka uruar zgjedhjen e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit të Kosovës.
Sali në postimin në Fejsbuk, thekson se konstituimi i Kuvendit paraqet një moment të rëndësishëm për funksionimin demokratik të institucioneve dhe për forcimin e rendit parlamentar.
“E nderuara zonja Albulena Haxhiu, Në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, jua përcjell urimet më të sinqerta për zgjedhjen tuaj si Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Konstituimi i Kuvendit përfaqëson një moment të rëndësishëm për funksionimin demokratik të institucioneve dhe për forcimin e rendit parlamentar”, shkruan Sali.
Ai shprehet i bindur se Kuvendi nën drejtimin e saj, “do të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e jetës parlamentare dhe në përfaqësimin e interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës”.
“Shprehim përkushtimin tonë të thellë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona, në frymën e partneritetit të ngushtë, respektit të ndërsjellë dhe orientimit të përbashkët strategjik”, thekson zëvendëskryeministri Sali.
