Lajme

Salihaj ‘shpërthen’: Thaçi po çonte Kosovën drejt ndarjes – arrestimi në momentin e fundit e ndali planin!

Adem Salihaj ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit që lidhen me epilogun e procesit në Gjykata Speciale, duke rikthyer në vëmendje prapaskenat politike të disa viteve më parë.

Ai rikujtoi se, aktakuza ndaj Hashim Thaçi u bë publike pikërisht në momentin kur ky i fundit po udhëtonte drejt Uashington për një marrëveshje me Aleksandër Vuçiq, e cila – sipas tij – parashihte ndarjen territoriale të Kosovës në kuadër të të ashtuquajturit “korrigjim kufijsh”.

Salihaj në postimin e tij në Facebook, hodhi akuza edhe për përfshirje ndërkombëtare, lobim të financuar dhe tentativa për riformatim të hartës së rajonit, duke e cilësuar gjithë procesin si një rrezik serioz për ekzistencën e shtetit të Kosovës, transmeton “Bota sot”.

Postimi i plotë

Ditët e fundit kemi shumë debate dhe shqetësim lidhur me epilogun e gjykimit të Gjykatën Speciale. Por, për t’i kuptuar më mirë arsyet e gjithë kësaj, po kthehemi disa vite pas.

Fletarresti për Hashim Thaçin u lëshua në momentin kur ai në Vjenë po hypte në aeroplan për të shkuar në Uashington. Atje do të shkonte edhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe këta dy po shkonin për ta nënshkruar marrëveshjen për shkëmbimin e territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin ata e quanin Plani për korrigjimin e kufirit.

Sipas këtij plani, Serbia do të merrte Zveçanin, Zubin Potokun dhe Leposaviqin, pjesën ku ishin miniera të rëndësishme të plumbit, zinkut, arit dhe argjendit dhe përfshinte rreth 20% të territorit të saj. Në një version tjetër ky plan parashihte diku 40% të territorit të Kosovës, deri në Prishtinë e Prizren.

Kosova do të merrte në këmbim një pjesë të Preshevës dhe disa fshatra të Luginës, më pak se gjysma e këtij 20% që do të merrte Serbia. Këto ishin kryesisht ara, livadhe dhe ndonjë mal, por pa asnjë pasuri nëntokësore.

Serbia do të kishte plus Asociacionin e Komunave  me Shumicë Serbe, pastaj do të kishte mbrojtje të veçantë për kishat dhe manastiret, si eksterritoritet. Dihet se Liqenin e Ujmanit do ta merrte Serbia.

Por, një çështje tepër e rëndësishme ishte Trepça, pasuria e së cilës vlerësohet në 500 miliardë dollarë.

Sipas këtij plani, Trepça do të “menaxhohej” (ndahej) në mes Kosovës, Serbisë, SHBA-ve, Rusisë dhe Kinës. Kosova do të merrte vetëm 35% të saj. Pjesa tjetër i shkonte Serbisë dhe këtyre shteteve që u përmendën. Nuk duhet përjashtuar mundësia që ndonjë hise të kësaj pasurie të madhe të kishin edhe Grenelli, Thaçi, Rama dhe Vuçiqi.

Vetë Mitrovica si komunë, e ndoshta edhe më shumë se kaqë, nuk do t’i takonte Kosovës, por do të ishte distrikt i veçantë nën menaxhimin e shteteve të mëdha.

Ky plan ishte i hartuar në Beograd, nga Vuçiqi, por sponzorë kryesorë ishin Hashim Thaçi dhe Edi Rama. Ata bënë çmos që ky plan të realizohej. Hashim Thaçi bëri vizita në shumë shtete për t’i bindur ta përkrahnin këtë plan, por nuk gjeti përkrahje askund, përveç te Rusia, Serbia dhe, për fatin tonë të keq, te Edi Rama, sepse po më vie rëndë të them te Shqipëria.

Në Uashington, sponzor i Planit ishte Richard Grenell, i cili e kishte bindur Presidentin Trump se ky ishte plan i paqes, i cili zgjidhte në mënyrë paqësore konfliktin shekullor dhe ndalte luftën 200 vjeçare në mes shqiptarëve dhe serbëve. Një plan, të cilin, siç i thoshin Grenell dhe Bolton, e përkrahnin edhe vetë Serbia e Kosova, nuk kishte pse të kundërshtohej as nga Presidenti Trump.

Këto ishin manipulime të Richard Grenellit, i cili, siç dihet, ishte i paguar nga Serbia. Më vonë Vuçiqi e dekoroi Grenellin në Beograd për merita të veçanta për Serbinë.

Por, nuk ishte vetëm Vuçiqi që paguante Grenellin.

Hashim Thaçi e kishte paguar James Rubinin nga 52 mijë euro çdo muaj për dy vite, që bëjnë 1 milion e 248 mijë euro nga buxheti i Kosovës, që të lobonte në Uashington për realizimin e planit serb për ndarjen e Kosovës. Këtë e pranoi edhe vetë Rubin gjatë dëshmisë së tij në Hagë.

Mënyrën e arrestimit të Thaçit e shpjegoi Richard Grenell. Sipas vetë atij, arrestimin e Thaçit e organizuan tri shërbime të rëndësishme të inteligjencës: BND-ja  gjermane, MI6 angleze dhe CIA amerikane. CIA anerikane ende nuk kishte rënë nën ndikimin e Grenellit. Arrestimi u bë me urdhërarrestin e kryeprokurorit të Hagës Jack Smith, i cili ishte në kontakt dhe i koordinuar me këto tri shërbime dhe me demokratët në Uashington.

Mendoj se Presidenti Trump ishte i keqinformuar nga Grenelli, të cilit i besonte shumë. Trump nuk kishte ndonjë qëllim të keq ndaj Kosovës. Ai kishte bindjen se po ndalte një luftë 200- vjeçare dhe po krijonte paqen. Madje, pse ta këtë marrëveshje këtë marrëveshje, kur vetë  presidenti i Kosovës Thaçi dhe ai i Serbisë Vuqiç ishin pajtuar për këtë plan.

Përndryshe, tash në mandatin e dytë, Presidenti Trump, i rrethuar nga njerëz të duhur, kur u informua drejt, ai ka qëndrimin e duhur dhe ka bërë hapa shumë energjikë për mbrojtjen e Kosovës, bile më tepër se çfarëdo pritje e jona. Siç dihet, i është kërcënuar Serbisë se nëse e sulmon Kosovën, do ta paguajë shtrenjtë, ngjashëm me Kërcënimin e Kërshëndellave të Presidentit Bush. Kohët e fundit ka nënshkruar edhe ligjin dhe urdhërin që SHBA-të të angazhohen për mosndryshimin e kufinjëve edhe për pranimin e Kosovës në NATO. Pra, ai po bën edhe më tepër shumë për Kosovën.

Po të mos angazhohej kaqë shumë Thaçi dhe të mos ishte ky rrezik për ndarjen e Kosovës, me siguri fletarresti për Thaçin nuk do të shpallej atë ditë  dhe aqë papritmas. Madje, disa ndërkombëtarë i kishin deklaruar Thaçit se ai, për momentin, nuk ishte në listë për arrestim nga Gjykata Speciale. Është pikëpyetje se a do të arrestohej fare Thaçi, po të mos ishte ky rrezik i ndarjes së Kosovës, apo vetëm do të shtyhej arrestimi i tij për më vonë.

Po të realizohej ky plan, Kosova më nuk do ekzistonte si shtet dhe pjesa e mbetur do t’i bashkohej Shqipërisë.

Sipas asaj që flitej, Thaçi dhe Vuçiqi, si njerëz “të paqes” do të kandidoheshin për Çmimin Nobel për paqe. Ne ishim shumë me fat dhe duhet t’u jemi shumë mirënjohës shteteve të mëdha mike, që nuk lejuan të realizohej ky plan. Pa këto shtete nuk do të ekzistonte sot Republika e Kosovës.

Këtu po e jap atë që më tha Presidenti Rugova, në fund të vitit 2004, kur po bisedonim vetëm unë e ai për formimin e qeverisë: “Hashim Thaçin nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë që të bëhet kryeministër, ai është shumë i rrezikshëm”.

Të Ngjashme