Lajme

Sejdiu sqaron qëndrimin: Emri im po lakohet sërish për President, por unë…

Bekim Sejdiu ka reaguar sërish lidhur me përmendjen e emrit të tij si kandidat për President të Kosovës, në ditën e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Në një postim drejtuar qytetarëve, Sejdiu ka rikujtuar se më 14 shtator kishte njoftuar tërheqjen e tij nga procesi i zgjedhjes së Presidentit, duke theksuar se vendimi erdhi pas pamundësisë për të realizuar marrëveshjen mes LDK-së dhe LVV-së, dy subjektet që e kishin propozuar dhe mbështetur kandidaturën e tij.

Ai ka thënë se, pavarësisht tërheqjes, emri i tij është përfshirë sërish në diskutimet politike për gjetjen e një kandidati për President.

“Së fundi, emri im është përfshirë përsëri në diskutimet për gjetjen e një kandidati për President të vendit”, ka shkruar Sejdiu.

Megjithatë, ai ka bërë të qartë se nuk e konsideron veten pjesë të procesit aktual të zgjedhjes së Presidentit, pasi sipas tij nuk është arritur marrëveshje politike dhe mungon mbështetja e nevojshme në Kuvend.

“Kam njoftuar krerët e LDK-së dhe Kryeministrin Kurti se unë nuk e konsideroj veten pjesë të procesit të zgjedhjes së Presidentit, për arsye të mos arritjes së një marrëveshjeje politike dhe mungesës së përkrahjes së nevojshme në Kuvend”, ka deklaruar ai.

Sejdiu ka falënderuar kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për besimin dhe komunikimin korrekt, ndërsa mirënjohje ka shprehur edhe për mbështetjen që, siç thotë, ka marrë nga politikanë të partive të tjera, kolegë, miq dhe personalitete të jetës akademike.

Ai ka rikujtuar se motivi i vetëm për ta pranuar kandidaturën kishte qenë interesi i vendit dhe përpjekja për të ndihmuar në tejkalimin e krizës institucionale.

Reagimi i Sejdiut vjen pikërisht më 6 tetor, datë të cilën Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar si fundin e afatit 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit.

Në fund të reagimit, Sejdiu ka shprehur shqetësimin e tij për situatën politike, duke thënë se e ndien “dhimbjen personale” për ankthin dhe zhgënjimin që, sipas tij, po përjetojnë qytetarët e Kosovës.

“Lë të jenë këto momente reflektimi për të gjithë, përtej inateve të ngushta dhe interesave personale”, ka përfunduar ai.

Pavarësisht tërheqjes së tij më 14 shtator, emri i Sejdiut ka vazhduar të përmendet në diskutimet politike. Edhe më 30 shtator, kryeministri Kurti kishte deklaruar se LVV-ja e konsideronte ende Sejdiun si kandidat të saj, pavarësisht njoftimit të tij për tërheqje.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, të dashur miq!

E konsideroj të domosdoshme të sqaroj qëndrimin tim, pas përmendjes së emrit tim si kandidat për postin e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Më datë 14 shtator, unë kam njoftuar tërheqjen time nga procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, për shkak të pamundësisë së realizimit të marrëveshjes LDK-LVV, dy partitë që më kanë propozuar dhe mbështetur në këtë proces. Kjo për shkak të qëndrimit të dy partive të tjera opozitare dhe 6 deputetëve të LDK-së.

Siç e kam theksuar kur e kam pranuar kandidaturën për postin e Presidentit e vetmja arsye dhe i vetmi motiv që më ka nxitur të marrë përsipër këtë barrë, ka qenë interesi i vendit dhe përpjekja për të ndihmuar në daljen nga kriza.

Së fundi, emri im është përfshirë përsëri në diskutimet për gjetjen e një kandidati për President të vendit.

Dëshiroj që më sinqeritetin më të madh të falënderoj ata liderë politik që kanë vazhduar të besojnë se unë jam kandidat i denjë për pozitën e kreut të shtetit, sidomos në një situatë të ndjeshme si periudha nëpër të cilën po kalojmë.

Ditëve të fundit kam qenë në komunikim të vazhdueshëm me krerët e LDK-së, duke qenë se fillimisht kam qenë i ftuar nga kjo parti, kur më është ofruar posti i Presidentit (në fillim të shtatorit).

Kam njoftuar krerët e LDK-së dhe Kryeministrin Kurti se unë nuk e konsideroj vetën pjesë të procesit të zgjedhjes së Presidentit, për arsye të mos arritjes së një marrëveshjeje politike dhe mungesës së përkrahjes së nevojshme në Kuvend.

Kryeministrin Kurti dhe Kryetarin Abdixhiku i kam falënderuar për besimin ndaj meje dhe korrektësinë në komunikimin më mua. Dëshiroj që këtë falënderim ta përsëris edhe në këtë rast. Poashtu, e vlerësoj konsideratën personale të shprehur ndaj meje nga shumë politikanë të partive të tjera.

Shprehë mirënjohjen më të sinqertë për të gjithë kolegët, miqtë dhe shumë personalitete nga jeta akademike dhe përtej saj, që më kanë shprehur mbështetjen e tyre.

Nuk mund të përmbyllë këtë postim pa shprehur dhimbjen time personale për ankthin dhe zhgënjimin që po përjeton Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj. Lë të jenë këto momente reflektimi për të gjithë, përtej inateve të ngushta dhe interesave personale.

Të Ngjashme