I ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Prishtina, eksperti i njohur i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, komentoi lajmin se Serbia ka blerë raketa supersonike nga Kina. Sipas tij këto paisje paraqesin rrezik real për misionet ndërkombëtare, si KFOR-i në Kosovë, por edhe për misionet në Bosnje e Hercegovinë.
Sipas Ibishit, investimet e Serbisë, që arrijnë rreth 2.65% të PBB-së, tregojnë për një përpjekje për të treguar forcë dhe për të modernizuar kapacitetet e vjetruara të ushtrisë së saj ndërsa thotë se raketat CM-400, avionët Rafale dhe sistemet FK-3 krijojnë një kërcënim potencial për stabilitetin rajonal dhe kërkojnë reagim të menjëhershëm nga aleatët ndërkombëtarë.
Eksperti i sigurisë thekson se çdo reduktim i pranisë së trupave ndërkombëtare, veçanërisht amerikanëve në KFOR, mund të rrisë tensionet Kosovë-Serbi dhe të hapë mundësi për destabilizim.
“Serbia ka blerë raketa supersonike nga Kina. Pajisjet e avancuara që po blen tani paraqesin një rrezik real për misionet ndërkombëtare, si KFOR-in në Kosovë, po ashtu edhe për misionet në Bosnje e Hercegovinë. Kjo tregon për një kërcënim të vazhdueshëm, përtej niveleve kombëtare të sigurisë. Reagimi ndaj këtij rreziku duhet të jetë i menjëhershëm dhe serioz. Serbia vazhdon të investojë në ushtri, rreth 2.65% të PBB-së, por shumica e pajisjeve të saj janë të vjetruara. MIG-29 të gjeneratës së tretë nga Bjellorusia, tanke M84 të avancuar, por gjithsesi të vjetruara, dhe sisteme raketore të tipit FK-3 nga Kina. Përveç këtyre, Serbia ka marrë pajisje moderne nga Rusia, Kina dhe Perëndimi, përfshirë raketat CM-400 dhe avionët Rafale francezë. Kjo tregon një qasje të re dhe një forcë të re në fushën e pajisjeve të avancuara. Raketat CM-400 godasin deri në 400 km, duke krijuar rrezik për gjithë rajonin, duke përfshirë Bosnje e Hercegovinën, Kroacinë, Kosovën dhe vendet me të cilat Serbia ka pretendime territoriale. Serbia ka investuar 170 milionë dollarë për armatim për të balancuar ndikimin e aleancës triaterale Kroaci-Shqipëri-Kosovë, edhe pse kjo aleancë nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë”, tha ai.
Eksperti i sigurisë thekson se çdo reduktim i pranisë së trupave ndërkombëtare, veçanërisht amerikanëve në KFOR, mund të rrisë tensionet Kosovë-Serbi dhe të hapë mundësi për destabilizim.
“Prezenca amerikane në KFOR është shtylla kryesore e stabilitetit në rajon. Reduktimi i trupave amerikane mund të rrisë tensionet Kosovë-Serbi dhe të krijojë hapësirë për destabilizim. Aleatët e rajonit dhe komuniteti ndërkombëtar duhet ta marrin këtë situatë seriozisht. Pra, ndërsa Serbia investon dhe modernizon ushtrinë, çdo lëvizje e forcës ndërkombëtare ka ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë e Kosovës dhe rajonit”, tha ai.
