Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, bëri të ditur se autoritetet e Serbisë nuk kanë lejuar që të hyjnë në Serbi tre deputetë të Kosovës: Arbërie Nagavcin, Fatmire Mullhaxhën dhe Liza Gashin, që po shkonin tek ajo për ngushëllime.
Tre deputetët kanë qenë të shoqëruar nga ambasadori i Kosovës, Jetish Jashari dhe këshilltari i Kurtit, Ragmi Mustafi. Megjithatë, hyrja e tyre nuk është lejuar.
Sinani tha se duke parë një situatë të tillë vetë ka kaluar në pjesën e Kosovës ku edhe është takuar.
Ajo tha se Serbia shpërfaq politikën diskriminuese edhe në raste të vdekjeve.
Reagimi i plotë i Ardita Sinanit:
“Autoritetet e Serbisë, qoftë edhe kur janë në pyetje raportet ndërnjerëzore, vetëm për faktin që janë të përfshirë zyrtarë shtetërorë të Republikës së Kosovës, iu jep kënaqësi refuzimi i lejes për të vizituar Luginën e Preshevës.
Me rastin e vdekjes së babait tim, një delegacion nga Republika e Kosovës, i përbërë nga deputetet e Kuvendit, Arbërie Nagavci, Fatmire Mullhaxha Kollçaku e Liza Gashi, kishin planifikuar që të vijnë për vizitë në shtëpinë e prindërve të mi në Preshevë për të më shprehur ngushëllime.
Sipas protokollit, deputetet i kishte shoqëruar edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Beograt, Sh,T. Jeshit Jashari, i cili po ashtu kishte shprehur dëshirën që së bashku me deputetet të më vijë në vizitë për ngushëllime.
Pjesë e delegacionit ishte edhe Ragmi Mustafi, këshilltari i kryeministrit Kurti për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, i cili kësaj here kishte porosinë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti që të më përcjell nga afër mua e familjarëve të mi ngushëllimet e tij për humbjen e prindit.
Pavarësisht se të njëjtit nuk kishin paraparë vizitë zyrtare në Preshevë, por vizita e tyre ishte për qëllime personale, aq më shumë ishte për qëllime humane e për të ruajtur një traditë tonën të përhershme për të ngushëlluar të afërmit në raste të vdekjes, Serbia vendosi paturpësisht ta përfshijë politikën edhe në këtë rast.
Pas disa orë mbajtje në vendkalimin kufitar me Kosovën në Depcë, autoritetet kufitare njoftuan delegacionin nga Republika e Kosovës që nuk iu lejohet vizita në Preshevë.
E detyruar nga këto rrethana, së bashku me vëllezërit dhe familjarët e mi, e nderuar nga qëllimi i deputeteve dhe Ambasadorit për të qenë pjesë e dhimbjes sime me rastin e vdekjes së babait, i takova në vendkalimin Depcë, në territorin e Republikës së Kosovës.
Qoftë edhe në këto rrethana, aspak njerëzore dhe e frustruar nga ky rast, pata nderin që unë me familjar të marr ngushëllimet e sinqerta në emrin e tyre të deputeteve Nagavci, Mullhaxha Kollçaku e Gashi, të cilat më përcollën edhe ngushëllimet e Kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, mikes time, znj. Albulena Haxhiu.
Kjo është një situatë për t’u mbajtur mend për të keq, e ku Serbia shpërfaq politikën e saj diskriminuese në çdo pore të jetës, qoftë edhe në raste të vdekjeve e ku vizitat kanë për qëllim vetëm ndarjen e dhimbjes.
Por, ashtu sikur edhe në çdo rast tjetër, shpresoj më së shumti sot, Serbia të ketë marrë mesazhin e qartë që edhe në rrethana gati të pamundura nuk do t’ia dalin të ndajnë as koordinimin politik, e aq më pak lidhjen tonë shpirtërore.
Edhe një herë, shpreh në emrin tim dhe familjes time falënderim nga zemra, që deputetet bashkë me Ambasadorin Jashari ndanë kohë nga angazhimet e tyre për të qenë pranë meje në këtë dhimbje, e në të njëjtën kohë duke iu shprehur keqardhje të njejtëve që pa vullnetim tim e familjes time na u pamundësua mikpritja për ta ashtu siç e merituan e ashtu siç tradicionalisht priten mysafirët në Preshevë.
Po ashtu, duke parë vendosmërinë e tyre për të qenë në çfarëdo forme pranë meje, iu garantoj gatishmërinë time që të jem afër Kosovës në çfarëdo forme.
