Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka folur se fundmi për përgjegjësitë e Serbisë për ngjarjet e rënda të sigurisë në veri të Kosovës.
Rutte theksoi se Beogradi nuk mund të vazhdojë të shmangë llogaridhënien për sulmin në Banjskë dhe për dhunën ndaj trupave të KFOR-it gjatë tensioneve të pranverës së vitit 2023.
Rutte po ashtu theksoi se NATO-ja është e përkushtuar ndaj situatës së sigurisë në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se aleanca ushtarake perëndimore nuk do të lejojë krijimin e një vakumi të sigurisë në Bosnje dhe Hercegovinë.
Sipas Rutte vendimet e Beogradit po e vendosin atë gjithnjë e më shpesh në kundërshtim me linjën dominuese të politikës globale.
Ndërkohë që komuniteti ndërkombëtar kërkon përgjegjësi dhe angazhim konstruktiv, Serbia vazhdon të dërgojë mesazhe kontradiktore.
Deklarata e Rutte u bë gjatë adresimit në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), ku po ashtu konfirmoi mbështetjen për dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
E të gjendur në këtë situatë a po fiton Kosova terren diplomatik ndaj Serbisë dhe a duhet ta shfrytëzojë këtë momentum për dialogun dhe zbatimin e marrëveshjeve?
Shabani: Mosprania e Serbisë në nismën e Trumpit tregon se SHBA-ja e ka kritike Beogradin dhe qasjen e Vuçiqit
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur njohësi për çështje ndërkombëtare, Amir Shabani.

Njohësi për çështje ndërkombëtare, Amir Shabani
Njohësi thotë se presioni i vazhdueshëm i NATO-s ndaj Serbisë për rastin e Banjskës është serioz dhe i lidhur drejtpërdrejt me ruajtjen e stabilitetit rajonal.
Ai nënvizon se llogaridhënia e Beogradit shihet nga NATO si kusht kyç për paqen në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Që nga fillimi i vitit 2026, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte vazhdon të ushtrojë presion mbi autoritetet serbe për të siguruar llogaridhënien e plotë për sulmin e realizuar në Banjskë të vitit 2023 dhe dhunën kundër trupave të KFOR-it. Dalja para drejtësisë së akterëve të këtij krimi duhet realizuar gjatë këtij muaji (janar, 2026) dhe NATO pret që Beogradi ta zgjidhë këtë çështje për ta ruajtur stabilitetin rajonal. Ky presion i vazhdueshëm nga Rutte mbetet një përparësi për NATO-n për të siguruar paqen dhe stabilitetin jo vetëm në veri të Kosovës, por në tërë Ballkanin Perëndimor”, u shpreh njohësi.
Tutje, ai thekson që mos prania e Serbisë në nismën për Bordin e Paqes për Gazën dëshmon se SHBA-ja po mban qëndrim kritik ndaj qasjes së Beogradit, duke e rreshtuar atë në anën e gabuar të zhvillimeve globale.
“Nga ana tjetër, mosprezenca e Serbisë në nismën e themelimit të Bordit të Paqes për Gazën i iniciuar nga Presidenti Trump, dëshmon qartë se qasja gjeopolitike e SHBA-së ndaj rajonit ka vërejtje për vendet si Serbia dhe autokracia e Vuçiqit. Mungesa e Serbisë në atë nismë tregon rreshtimin e saj në anën e dështuar të politikës globale”, shtoi ai.
Ndër të tjera njohësi nënvizon që pjesëmarrja e Kosovës në Bordin e Paqes në Davos nën udhëheqjen e Presidentes Osmani shënon një avantazh diplomatik ndaj Serbisë dhe krijon hapësirë për ta shtyrë Beogradin drejt zbatimit të marrëveshjeve dhe pranimit të përgjegjësisë për Banjskën.
“Nga ana tjetër, Republika e Kosovës, e cila me kryesinë e Presidentes Osmani morri pjesë në Bordin e Paqes në Davos, padyshim se ka fituar një teren të qartë diplomatik përballë Serbisë dhe ky moment i jep mundësinë Kosovës për ta detyruar Serbinë drejt zbatimit real të marrëveshjeve dhe pranimit të fajit që ka realizuar së fundmi me sulmin në Banjskë”, foli njohësi për çështje ndërkombëtare, Amir Shabani për “Bota sot”.
Dashevci: Izolimi strategjik i Beogradit si kërcënim për stabilitetin rajonal
Ndërsa eksperti i sigurisë, Arben Dashevci në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që NATO-ja po dërgon një paralajmërim të qartë se Serbia nuk mund të justifikojë më sulmet ndaj KFOR-it dhe se veprimet e saj destabilizuese në terren kërcënojnë sigurinë ndërkombëtare.

Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci
“Mesazhi i Mark Rutte është një alarm politik pa ekuivok: koha e justifikimeve për Beogradin ka mbaruar. Sulmi terrorist në Banjskë dhe dhuna ndaj ushtarëve të KFOR-it nuk janë “incidente të paqartë”, por akte të rënda që godasin sigurinë ndërkombëtare dhe vetë NATO-n. Serbia nuk mund të vazhdojë të luajë lojën e dyfishtë – duke predikuar stabilitet në tavolinat diplomatike, ndërsa në terren toleron ose ushqen struktura destabilizuese”, u shpreh ai.
Duke vazhduar bisedën eksperti thotë që sulmi në Banjskë dhe dhuna ndaj KFOR-it tregojnë se Serbia nuk është thjesht një faktor i paqëndrueshmërisë, por po importon dhe përhap destabilizim në rajon, duke vepruar si aleate e Rusisë.
Ai paralajmëron se kjo sjellje kërcënon sigurinë euroatlantike dhe kërkon një reagim të domosdoshëm të NATO-s dhe aleatëve për të mbrojtur paqen dhe rendin ndërkombëtar.
“Nga aspekti i sigurisë, mesazhi i Mark Rutte përbën një sinjal alarmi për gjithë arkitekturën euroatlantike. Sulmi terrorist në Banjskë dhe dhuna e organizuar kundër trupave të KFOR-it dëshmojnë se Serbia nuk është më thjesht faktor i paqëndrueshmërisë, por importuese aktive e destabilizimit të sigurisë në rajon. Duke vepruar si satelit politik dhe strategjik i Rusisë, Beogradi po shërben si kanal i interesave malinje ruse në Ballkan, me synim minimin e NATO-s, dobësimin e rendit ndërkombëtar dhe nxitjen e krizave të kontrolluara. Kjo agjendë nuk kërcënon vetëm Kosovën, por rrezikon drejtpërdrejt sigurinë e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Serbia ka zgjedhur qartë anën e saj: jo stabilitetin, por kaosin; jo bashkëpunimin, por konfrontimin; jo vlerat euroatlantike, por interesat gjeopolitike të Kremlinit. Përballë kësaj, reagimi i NATO-s dhe aleatëve nuk është opsion, por domosdoshmëri strategjike për mbrojtjen e paqes dhe sigurisë kolektive”, shtoi gjatë bisedës eksperti.
Gjithashtu Dashevci thekson që sipas Barry Buzanit, siguria moderne varet nga integrimi në rendin ndërkombëtar, dhe Serbia po e humb këtë integrim duke u larguar nga nismat kolektive si Bordi i Paqes për Gazën, duke u vendosur kështu në një zonë izolimi dhe pasigurie.
“Siç do ta theksonte edhe Barry Buzan, një nga studiuesit më të njohur të studimeve të sigurisë dhe bashkëthemelues i Shkollës së Kopenhagës, siguria moderne nuk matet më vetëm përmes kapaciteteve ushtarake, por përmes aftësisë së një shteti për t’u integruar në rendin normativ dhe institucional ndërkombëtar. Në këtë prizëm teorik, mbetja e Serbisë jashtë nismës për themelimin e Bordit të Paqes për Gazën përfaqëson një devijim të qartë nga logjika e sigurisë afatgjatë. Sipas Buzanit, shtetet që refuzojnë të marrin pjesë në mekanizma kolektivë të menaxhimit të krizave e zhvendosin veten nga “komuniteti i sigurisë” drejt një zone gri, ku perceptimi i kërcënimit rritet, ndërsa besimi strategjik zvogëlohet. Pikërisht kjo po ndodh me Serbinë: duke u rreshtuar kundër një iniciative paqeruajtëse me karakter humanitar dhe multilateral, ajo po ndërton një profil sigurie të bazuar në izolim selektiv dhe ambiguitet strategjik”, foli ai.
Në fund eksperti i sigurisë përmbyllë bashkëbisedimin duke thënë që ky pozicion i Serbisë sjell izolim diplomatik dhe rrit varësinë nga aleancat jo stabilizuese, duke e bërë vendin më të pasigurt në afat të gjatë, sipas teorisë së Buzanit.
“Nga këndvështrimi i sigurisë afatgjatë, ky pozicionim prodhon efekte kumulative negative: humbje kapitali diplomatik, margjinalizim në forumet ku artikulohet rendi i ri i sigurisë globale dhe rritje të varësisë nga aleanca jokomplementare me interesat e stabilitetit rajonal. Siç paralajmëron edhe Buzan, shtetet që mbështeten në sekuritizim politik të brendshëm në vend të bashkëpunimit ndërkombëtar, përfundojnë duke gjeneruar pasiguri për veten më shumë sesa për të tjerët. Në këtë kontekst, rreshtimi i Serbisë në anën e gabuar-rude nuk është një etiketë retorike, por një diagnozë teorike e mbështetur në studimet bashkëkohore të sigurisë: një shtet që refuzon arkitekturën kolektive të paqes, në afat të gjatë refuzon edhe vetë sigurinë e tij”, përfundoi eksperti i sigurisë, Arben Dashevci për “Bota sot”.
