Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Sërish ia kanë huqur” – Murati u përgjigjet kritikëve për pagën minimale

 
   

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj disa portaleve dhe analistëve që, sipas tij, kanë keqinterpretuar një deklaratë të tij të para tre viteve për pagën minimale.

Murati ka theksuar se nuk ekziston asnjë kundërthënie mes qëndrimit të tij të atëhershëm dhe propozimit aktual, pasi kushtet ekonomike kanë ndryshuar ndjeshëm. Ai ka sqaruar se në vitin 2021 kërkesa për pagë minimale 500 euro ishte e papërballueshme dhe mbi pagën mesatare të tregut, ndërsa sot propozimi për rritjen graduale – nga 350 në 425 e më pas në 500 euro deri në vitin 2026 – është i arsyeshëm, i qëndrueshëm dhe në përputhje me fuqinë aktuale të ekonomisë, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

Disa analistë e portale qenkan ngazëllyer se paskan gjetur një deklaratë timen të para 3 viteve ku them se nuk mund të propozohet pagë minimale 500 euro, sepse kjo është kapërcim i papërballueshëm dhe në shpërputhje me tregun. Dhe përmes kësaj qenkan munduar të gjejnë kundërthënie me propozimin e tanishëm për pagë minimale prej 500 euro në vitin 2026.

Normalisht që edhe kësaj here ia kanë huqur, sikurse çdo herë.

Ajo çfarë po harrojnë ta përmendin këta është se kur nga disa deputetë kërkohej që paga minimale të bëhej 500 euro para 3 viteve, paga minimale në fuqi ishte 170 euro, ndërsa paga mesatare e publikuar nga Agjencia e Statistikave ishte ajo e vitit 2021 në nivel prej 484 euro.

Pra atëherë kërkohej të caktohej një pagë minimale që ishte më e lartë sesa vetë paga mesatare (500 vs 484), që përbënte shkarje logjike, dhe që ishte 3-fish më lartë sesa ajo ekzistuesja, gjë që do të përbënte kapërcim të papërballueshëm për bizneset.

Kurse tash kur ne kemi propozuar pagën minimale prej 500 euro, të zbatueshme në dy faza, paga mesatare është 639 euro, ndërsa rritja nga niveli aktual prej 350 euro fillimisht në 425 euro paraqet rritje prej 21%, dhe faza tjetër nga 425 në 500 paraqet rritje prej 17%.

Pra propozimi i tashëm nuk është shkarje logjike sepse nuk është mbi pagën mesatare (500 vs 639), dhe se rritja është graduale nga 350 në 425 e pastaj në 500, e jo 3-fishim përnjëherë.