Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sfidat e gjetjes së trupave në Gaza

Ndërsa negociatat për armëpushimin e brishtë në Gaza vazhdojnë, palestinezët kanë filluar të gërmojnë nëpër 61 milionë ton rrënoja të luftës.

Poshtë tyre, mendohet se janë trupat e të paktën 10,000 njerëzve.

Ekipet e shpëtimit në Gaza deri më tani janë mbështetur në mjete bazë  për gërmime,  si lopata, kazma, karroca dore, grabuja, shata dhe në duart e tyre.

Kjo pasi kërkesat drejtuar Izraelit për të lejuar hyrjen e ekskavatorëve dhe makinerive të rënda në mënyrë që ata të mund të punojnë më me efikasitet nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza,  472 trupa u gjetën gjatë 16 ditëve të para të armëpushimit dhe u dërguan në morgjet e spitaleve për identifikim.

Ky numër nuk përfshin 195 trupat e kthyer nga Izraeli si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit.

Edhe nëse Izraeli do të lejonte ekskavatorë dhe buldozerë në Gaza sot, zyrtarët e mbrojtjes civile vlerësojnë se do të duheshin deri në nëntë muaj për të nxjerrë shumicën e trupave.

Raportohet se qindra familje palestineze presin në radhë çdo ditë në spitale dhe zyra të Ministrisë së Shëndetësisë duke kërkuar informacion në lidhje me të afërmit e zhdukur.

Ndërkohë spitalet e pakta të mbetura në territor nuk kanë pajisjet për testimin e ADN-së, i cili është urgjentisht i nevojshëm për të ndihmuar në identifikimin e mijëra personave të zhdukur ose të vdekur.

Izraeli nuk lejon që materialet për testimin e ADN-së të hyjnë në Gaza.

Për këtë arsye, si dhe për shkak të gjendjes së avancuar të dekompozimit të shumë prej trupave, mjekët mjeko-ligjorë shpesh e kanë të vështirë të identifikojnë viktimat.

Si pjesë e armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, Izraeli,  në këmbim të mbetjeve mortore të 15 pengjeve të kthyera nga Hamasi, i dorëzoi Gazës 195 trupa palestinezë.

Disa prej tyre ishin me sy të lidhur, të lidhur në duar dhe këmbë, ose kishin plagë nga armë zjarri.