Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Shala: SHBA e brengosur për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor

 
   

Vizita e Zëvendës Ndihmës Sekretarit amerikan të Mbrojtjes për Politikat Evropiane dhe të NATO-s, David Baker, shënon një hap të ri në bashkëpunimin strategjik në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Baker realizoi takime zyrtare me krerë të lartë të institucioneve të vendit dhe ushtarakë të KFOR-it.

Zyrtari i lartë i Pentagonit, David Baker qëndroi në vendin tonë, në një kohë të ndjeshme për sigurinë në rajon. Ndërkohë, Kosova synon të forcojë pozicionin e saj në strukturat euroatlantike dhe të ecë drejt objektivit strategjik, anëtarësimit në NATO.

Baker u takua me presidenten Vjosa Osmani, ndërsa me nderime  të larta shtetërore u prit nga ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. E mbrëmjen e së shtunës Baker takimet me autoritetet në Prishtinë i mbylli në një darkë pune të organizuar nga ministri Maqedonci, e ku mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti.

Sipas njoftimeve për media nga zyrat e institucioneve u theksua se mbështetja amerikane e bën Kosovën “më të fortë, më të sigurt dhe më të zhvilluar” derisa u ritheksua përkushtimi për të rritur bashkëpunimin dypalësh në mbrojtje si dhe nevojën për më shumë investime dhe shkëmbime tregtare.

Analisti i çështjeve të Sigurisë, Drizan Shala thotë se takimi në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe zyrtarit të SHBA-së, dëshmon se SHBA është e brengosur për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

“Edhe njëherë e dëshmoi faktin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partnere strategjike e segmentit të sigurisë është e preokupuar për zhvillimet të cilat e karakterizojnë Ballkanin Perëndimor, respektivisht në mbështetjen e operaturës shtetërore qoftë asaj ushtarake apo civile, qoftë në aspektin e industrisë ushtarake të mbrojtjes apo të inteligjencës. Mekanizmi i sigurisë ka dëshmuar njëherësh që është në gjendje të përballojë çfarëdo ndryshime të sigurisë në kontekstin e cenimeve dhe misioneve që mund të hasen gjatë kërcënimeve që mund të vijnë nga forma të ndryshme, nga ana e Serbisë apo elementeve të saja proksi”, tha Drizan Shala analist i sigurisë.

Zëvendësndihmëssekretari i SHBA-së, David Baker, takoi edhe me komandantin e KFOR-it, gjeneral Enrico Barduani, me të cilin diskutoi për sigurinë në Kosovë dhe rëndësinë e angazhimit politik në dialogun Kosovë–Serbi derisa Baker rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur amerikane për misionin e KFOR-it në Kosovë.