SHBA nuk i “lëshojnë pe” Sali Berishës, 800 mijë dollarë në një vit për t’i hequr “non-gratën” kryedemokratit hidhen në erë, emri i tij ende në “listën e zezë”
Për heqjen e përcaktimit non-grata për liderin demokrat Sali Berisha, gjatë vitit 2025 janë paguar mbi 800 mijë dollarë. Një raport financiar i PD-së, i publikuar nga mediat, tregon se gjatë vitit 2025 janë kryer 4 pagesa, me vlerë totale 69,423,511 lekë, ose 830 000 dollarë. PD i ka raportuar këto transaksione si dhurime në natyrë për llogari të saj, me shpjegimin se personi juridik ‘Make Albania Great Again’ ka pasur për shërbime juridike dhe konsulencë sipas kontratës së firmosur më se në 30 mars të vitit të kaluar.
Kontrata u firmosur pak javë përpara zgjedhjeve me kosto marramendëse prej 6 milionë dollarësh, por PD tha se është përfituese e shërbimit dhe jo paguese e saj. Sipas tij, pagesat u bënë nga shqiptarët e Amerikës. Nuk dihet nëse kontrata është apo jo në fuqi, për pjesën e tjera të pagesave, kur qëllimi i saj kryesor, heqja e non gratës apo një vizitë e Berishës në SHBA përpara zgjedhjeve të 11 majit, dështoi.
Kontratën ishte e lidhur mes PD dhe Continental Strategy, ku një prej drejtuesve është edhe Katie Ëiles, vajza e Susie Ëiles, që shërbeu si shefja e fushatës së presidentit Trump në 2024, bashkëpunëtore e ngushtë e Chris LaCivita, i cili është shefi i fushatës elektorale te Berishës. Kujtojmë se për këtë kontratë ka nisur hetimet edhe SPAK.
“Non-grata” e tij ende në fuqi
Shpesh figura të Partisë Demokratike kanë përsëritur se ky përcaktim që erdhi nga Departamenti i Shtetit Amerikan gjatë presidencës së Joe Biden për Sali Berishën mund të ndryshojë tashmë që në krye të SHBA-së është Donald Trump. Deri më tani asgjë nuk ka ndodhur në këtë drejtim. Në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit vazhdon të jetë i publikuar vendimi për Berishën për shkak të përfshirjes në “korrupsion” gjatë kohës së ushtrimit të funksioneve shtetërore.
Në maj të vitit 2021, me firmë të Sekretarit të Shtetit Blinken, Sali Berisha dhe familja e tij u shpallën ‘non grata’ në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë.
Njoftimi i Antony Blinken – 19 Maj 2021
“Sot, po njoftoj shpalljen publike të Sali Berishës, ish-President i Shqipërisë, ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe ish-Deputet i Parlamentit të Shqipërisë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në cilësinë e tij zyrtare si Kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha ishte i përfshirë në akte korruptive, të tilla si përvetësimi i fondeve publike dhe ndërhyrja në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimin e tij personal dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë.
Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve kundër korrupsionit dhe masave të llogaridhënies. Me këtë përcaktim, po riafirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë. Ky përcaktim është bërë sipas Seksionit 7031(c) të Aktit të Ndarjeve të Buxhetit të Departamentit të Shtetit, Operacioneve të Jashtme dhe Programeve të Lidhura, 2021.
Përveç Berishës, unë po përcaktoj publikisht bashkëshorten e tij, Liri Berishën, djalin e tij, Shkëlzen Berishën, dhe vajzën e tij, Argita Berishën Malltezi. Këta individë nuk janë të kualifikuar për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara. Ky përcaktim riafirmon angazhimin e SHBA-së për të mbështetur reformat politike që janë thelbësore për institucionet demokratike të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë me popullin e Shqipërisë. Departamenti do të vazhdojë të përdorë autoritete të tilla për të nxitur llogaridhënien për aktorët e korruptuar në këtë rajon dhe në nivel global.”
