Aktuale

Shembet rruga e sapoinaguruar në fshatin Usojë, alarm te banorët e Mallakastrës

Vetëm pak muaj pas inaugurimit, një segment rreth 20 metra i rrugës së rikonstruktuar në fshatin Usojë, Bashkia Mallakastër, është shembur, duke shkaktuar shqetësim te banorët e zonës.

Sipas dëshmive të banorëve dhe punonjësve të ndërtimit, rrëshqitja e dheut ka prekur një pjesë të konsiderueshme të segmentit rrugor, i cili ishte mbështetur pranë një banese private.

Fatmirësisht, nuk janë shkaktuar dëme as në strukturën e jashtme të banesës dhe as në ambientet e brendshme, ndërkohë që në momentin e shembjes nuk ka pasur automjete në qarkullim.

“Rruga duhet të kishte kanale kulluese për ujërat e shiut. Mungesa e sistemit të drenazhimit, e kombinuar me reshjet e fundit, ka shkaktuar shembjen e segmentit,” shprehen banorët.

Specialistët e rrugëve, si Yzedin Çelaj, i cili ka 8 vite eksperiencë në projekte rrugore në Serbi, pohojnë se ky lloj dëmtimi mund të parandalohej me një projekt të plotë të drenazhit dhe përforcim të terrenit.

Autoritetet lokale kanë marrë masa të menjëhershme: segmenti i dëmtuar është bllokuar për qarkullimin e automjeteve dhe është sinjalizuar për të shmangur rreziqet.

Punimet për rikonstruksionin e rrugës 1,5 km janë kryer nga firma “Llazo” Shpk, fituese e tenderit të zhvilluar nga bashkia.

Banorët kërkojnë që ndërhyrja të mos jetë thjesht riparim i përkohshëm, por një zgjidhje përfundimtare që garanton sigurinë dhe qëndrueshmërinë e rrugës në afatgjatë.

Të Ngjashme