Lajme

Shembja e rrugës në kryeqytet, ekspertët fajësojnë kompaninë ndërtimore dhe komunën

Një rrëshqitje masive e dheut në rrugën “Don Shtjafën Kurti”, në Prishtinë ka shkaktuar dëme të mëdha infrastrukturore, duke bllokuar plotësisht rrugën dhe duke lënë një pjesë të kryeqytetit pa furnizim me energji elektrike dhe ujë të pijshëm.

Ndërsa, sot ekipet e Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” kanë nis punimet për sanimin e dëmeve dhe rikthim të energjisë elektrike brenda dita orësh dhe të ujit brenda ditës.

Zëdhënësja e Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku deklaron për KosovaPress, se ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të ujësjellësit me të gjitha kapacitetet humane dhe teknike po merren me sanimin e defektit të gypit të ujit e dëmtuar si pasojë e shembjes së dheut.

Mjeku: Brenda ditës po shpresojmë ta sanojmë defektin

Ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të ujësjellësit me të gjitha kapacitetet humane dhe teknike janë në vendngjarje dhe po merren me sanimin e defektit, gypit që është dëmtuar nga shembja e dheut ditën e djeshme në rrugën ‘Don Shtjefën Kurti’. Varet krejtësisht nga natyra e defektit, kështu që po shpresojmë që gjatë ditës së sotme të sanohet. Por, prapë se prapë është diçka nëntokë dhe nuk varet krejtësisht nga ne, por edhe nga natyra e defektit që është shkaktuar”, theksoi Mjeku.

Por, sipas ekspertëve të fushës së ndërtimtarisë, shkaku i shembjes së dheut lidhet me moszbatimin e projektit dhe mungesën e mbikëqyrjes profesionale gjatë fazës së ekzekutimit të punimeve.

Kreu i Odës së Inxhinierëve, Arsim Repuca ka theksuar se shpesh investitorët tentojnë të ulin kostot duke devijuar nga projektet, ndërsa institucionet duhet të jenë më të rrepta në zbatimin e ligjit dhe licencimin e profesionistëve.

Repuca: Problem ekzekutimi i projektit

Siç dëgjova në këtë rast leja është konform standardeve dhe projekti është në rregull, por problematika është te ekzekutimi. Shpeshherë gjatë ekzekutimit ose nuk ka mbikëqyrje të duhur nga profesionistët, edhe investitorët shpeshherë insistojnë me devijuar për shkak të tentimit të thjesht uljes së kostos së investimit. Shpeshherë ndodhin këto. Kjo është si shkak i moszbatimit pra të ligjit. Unë si kryetar i Odës së inxhinierëve pra, ne shohim një sfidë reale që po na ndodh”, tha ai.

Repuca ka deklaruar institucionet duhet të sigurojnë zbatimin e ligjit, duke kërkuar që vetëm inxhinierët e licencuar të hartojnë dhe mbikëqyrin projektet ndërtimore.

Ai ka paralajmëruar se angazhimi i personave të palicencuar ose mungesa e inxhinierëve çon në devijime dhe rrezikon sigurinë publike, duke shkaktuar edhe pasoja të rënda.

Repuca: Duhet zbatuar ligji për inxhinerë, në të kundërtën ndodhin katastrofa

Por institucionet duhet me shtyrë që me zbatuar ligjin, me zbatuar që vetëm profesionistët e licencuar me marrë përgjegjësi. Çfarë do të thotë? Projektues duhet me qenë inxhinier i licencuar me marrë përgjegjësi, me nënshkruar projektin, mandej mbikëqyrësit me respektuar ligjin dhe gjatë inspektimit me nënshkruar ditarin ndërtimor, librin ndërtimor, protokollet e inspektimit dhe ata kur i nënshkruajnë këto dokumentacione, ata do ta respektojnë, jam i sigurt që do ta respektojnë projektin. Po nëse angazhohen inxhinierë të palicencuar ose fare nuk angazhohen inxhinierë, atëherë ne devijojmë dhe kështu ndodhin raste të tilla, nuk respektohet projekti, ndodhin katastrofa të tilla, të cilat është shqetësuese për sigurinë publike”,ka deklaruar ai.

Pavarësisht rrezikut të dukshëm nga shembje të tjera të mundshme, banorët e ndërtesave përreth nuk janë evakuuar dhe vazhdojnë të qëndrojnë në banesat e tyre.

Repuca tha se në rast se është gërmuar në pjesën e themelit të ndërtesave përreth, kjo paraqet rrezik për banorët.

Repuca: Nëse gërmimi ka ndodhur nën themelin e objektit ekzistues paraqet rrezik

Nëse ai thjesht fundimi i atij objekti është në nivelin e poshtëm të gërmimit, ku ka ndodhur dheu, nuk është ndonjë rrezik i madh sa i përket ndërtesës. Mirëpo, nëse gërmimi është realizuar nën themelin e objektit ekzistues, atëherë mund të paraqitet ndonjë rrezik”, deklaroi ai.

Në një përgjigje me shkrim nga Prokuroria Themelore e Prishtinës kanë thënë se është intervistuar personi përgjegjës i kompanisë “Klub Invest”, ndërsa janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në zbardhjen e rastit.

Prokurori i Shtetit ka iniciuar rastin për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Ju njoftojmë se është autorizuar Policia e Kosovës dhe është intervistuar personi përgjegjës i kompanisë. Prokurori i shtetit ka iniciuar rastin për veprën penale ”Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, nga neni 356 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në drejtim te zbardhjes së plotë të kësaj çështjeje”, kanë deklaruara nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Për shkak të shembjes së dheut tashmë Komuna e Prishtinës ka pezulluar disa inspektorë./

Të Ngjashme