
Shërbimin ushtarak po synojnë ta bëjnë të detyrueshëm në Serbi.
E kjo nismë po shihet si shqetësim për shqiptarët që jetojnë në Serbi, nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.
Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi thotë se shqiptarët nuk kanë përvojë të mirë në këtë drejtim nga vitet e 80-ta.
“Aktualisht, në Serbi, janë duke u bërë përgatitjet e fundit për futjen në funksion të shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Kjo nismë ngjallë shqetësim te shqiptarët në Luginë të Preshevës për shkak të përvojave të dhimbshme historike në trajtimin diskriminues dhe tragjeditë e pësuara në të kaluarën nga të rinjtë shqiptarë që ishin në shërbim në Armatës Popullore të Jugosllavisë. Kujtesa kolektive e shqiptarëve është akoma e rëndë për ato pasoja tragjike”, ka thënë Kamberi.
Që shërbimi ushtarak ka lënë pasoja nga e kaluara e thotë edhe kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani.
Edhe Sinani është kundër një nisme të tillë.
Për Ragmi Mustafin, këshilltarin e zëvendës-kryeministrit në detyrë të Kosovës Besnik Bislimit, kjo është njëra nga politikat e shtetit serb.
Por për të, kjo mbetet e papranueshme për shqiptarët që jetojnë në tri komunat atje.
Qeveria serbe ka paralajmëruar që shërbimi i detyrueshëm ushtarak, i cili është hequr më 1 janar të vitit 2011, do të rikthehet në vitin 2025. Nga koha kur është hequr, njerëzit kanë shkuar në ushtri vetëm vullnetarisht.