Aktuale

Sherr i dhunshëm mes shqiptarëve dhe afrikanëve në Itali, një i plagosur

Një sherr i dhunshëm i shoqëruar me të shtëna arme ka tronditur paraditen e kësaj të premteje qendrën e qytetit të Trentos në Itali, ku për pasojë ka mbetur i plagosur një person.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:15, kur katër persona janë përfshirë në një konflikt fizik. Sipas rindërtimit paraprak, dy prej tyre ndodheshin në një bar duke pirë kafe, ndërsa dy të tjerët iu janë afruar në këmbë nga zona e Piazza Fiera.

Situata ka degraduar me shpejtësi, teksa dy personat e parë janë larguar me vrap në drejtim të një tabakerie në rrugën “Santa Croce”, ku janë arritur nga dy të tjerët.

Aty ka shpërthyer një përplasje e dytë, gjatë së cilës janë dëgjuar edhe disa të shtëna me armë, që dyshohet të ketë qenë pistoletë manovër, shkruajnë mediat italiane.

I plagosuri, sipas burimeve, ka marrë lëndime në zonën e shpatullës, ndërsa arma dyshohet se është përdorur edhe për goditje fizike.

Alarmin e kanë dhënë pronarja e tabakerisë dhe nëna e saj, të cilat janë strehuar në pjesën e pasme të ambientit të frikësuara, por pa pësuar lëndime.

Policia ka bërë të mundur ndalimin e të katër personave të përfshirë. Fillimisht u dyshua për një tentativë grabitjeje, por hetimet e fundit flasin për një konflikt mes dy shtetasve shqiptarë dhe dy personave me origjinë nga Afrika e Veriut.

Një nga pistat kryesore është ajo e një përplasjeje të lidhur me trafikun e lëndëve narkotike, por vijojnë hetimet ende për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Të Ngjashme