Moderatorja Neada Muçaj ka folur për herë të parë pas largimit të saj nga “Top Channel”, një ngjarje që në atë kohë u shoqërua me aludime dhe diskutime të shumta për një përplasje me kolegen e saj në “Wake Up”, Enxhi Nasufi.
E ftuar në emisionin “X-Press”, Muçaj ka treguar versionin e saj për situatën, duke theksuar se mënyra se si u trajtua gjithçka nuk ishte e drejtë dhe se shumë detaje nuk janë bërë kurrë publike.
“Duke marrë parasysh të gjithë situatën, mënyrën se si ndodhën gjërat, unë mendoj që nuk është një formë për ta shkëputur një njeri apo për ta hequr nga gjërat që ai do, sepse shumë gjëra nuk janë folur dhe nuk janë sqaruar,” u shpreh ajo.
Moderatorja hodhi poshtë zërat për një konflikt fizik, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe të fryra nga mediat. Sipas saj, ajo nuk është natyrë konfliktuale dhe nuk ka pasur asnjë sherr fizik me kolegen e saj.
“Nuk ka diçka të vërtetë pas atyre titujve, unë nuk jam një njeri që konfliktohem në vendin e punës. Ka njerëz që kështu duan të ecin në jetë, përmes skenarëve të ndryshëm dhe unë u gjenda pa dëshirën time,” tha Muçaj.
Megjithatë, ajo pranoi se ka pasur një moment të shkurtër tensioni mes saj dhe Enxhi Nasufit gjatë një ndërprerjeje publicitare në transmetim.
“Ka pasur një provokim të vogël, që ka ndodhur gjatë një shkëputjeje publicitare kur kemi qenë në transmetim,” shtoi ajo.
Muçaj la të kuptohet se situata është amplifikuar në mënyrë të qëllimshme për të krijuar zhurmë mediatike dhe vëmendje publike.
“Mua nuk më pëlqeu fare si situatë dhe qëllimi i saj ishte patjetër që unë të bëhesha pjesë e një formati shumë të ndjekur. Pra, ishte oferta më e mirë e mundshme për mua,” deklaroi ajo.
Në fund, ajo theksoi se nuk ka pasur asnjë përplasje fizike, duke shtuar se gjithçka është ekzagjeruar.
“Nuk ka pasur një sherr fizik, por është e vetmja formë që ti të bësh zhurmë dhe, për sa kohë zhurma shet, bujrum, jepi gaz,” u shpreh moderatorja.
Nga ana tjetër, edhe Enxhi Nasufi ka mohuar më herët çdo konflikt, duke e cilësuar situatën si të fryrë nga mediat dhe duke theksuar se keqkuptime të tilla janë të zakonshme për figurat publike.
