Lajme

Shkarkohet nga detyra drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Ilir Proda

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shteti në Shqipëri, Ilir Proda është shkarkuar.

Sipas burimeve jo zyrtare, kjo është e lidhur me kapjen komplet në befasi dhe të papërgatitur të Policisë së Shtetit dhe Policisë së Tiranës për djegien nga mbështetësit e opozitës të ish-vilës së diktatorit Enver Hoxha.

Shqetësimi është shfaqur nga vetë ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, e cila mësohet se ka zhvilluar paraditen e të dielës një mbledhje urgjente analizuese me kabinetin e saj, për mënyrën e menaxhimit nga policia të protestës së opozitës.

Të njëjtat burime flasin edhe për shkarkimin e drejtorit të Policisë së Tiranës, Elton Alushi.

Gjithsesi, fjalën e fundit për shkarkimin e Ilir Prodës pritet ta thotë kryeministri Edi Rama, që sipas ligjit është emëruesi dhe shkarkuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Një oficer karriere, Ilir Proda e mori drejtimin e Policisë së Shtetit më 3 tetor 2024.

Ai është drejtori i radhës në Policinë e Shtetit që nuk mundi dot ta çojë deri në fund mandatin e plotë.

Prej marrjes së detyrës, Proda u përball me akuza të forta nga opozita, por asnjëherë nuk u bashkëshoqërua me prova.

Një prej akuzave të opozitës ishte edhe marrja e telefonit të Ilir Prodës prej SPAK-ut, por në janar 2026 zyrtarisht BKH tha se nuk ia kishte sekuestruar telefonin.

Besohet se Policia e Shtetit, deri në zgjedhjen e drejtorit të ri, në këtë fazë tranzitore pritet të drejtohet prej Sokol Bizhgës.

Gjatë protestës së ditës së djeshme, protestuesit kanë hedhur molotovë dhe fishekzjarre drejt ish-rezidencën e diktatorit Enver Hoxha.

Në ato momente brenda godinës ndodheshin shtetas të huaj./TopChannel

Të Ngjashme