Një studim i publikuar në revistën shkencore The BMJ, dhe i raportuar nga Reuters, sugjeron se autizmi mund të jetë po aq i përhapur te vajzat sa edhe te djemtë, duke kundërshtuar vlerësimet e deritanishme që e konsiderojnë më të prekur meshkujt.
Megjithëse në moshat e hershme diagnozat janë më të shumta te djemtë, studiuesit konstatuan se gjatë adoleshencës diferenca ngushtohet ndjeshëm. Deri në moshën 20-vjeçare, raporti mes meshkujve dhe femrave pothuajse barazohet, duke arritur afërsisht në 1:1. Aktualisht, statistikat tregojnë se rreth tre djem diagnostikohen për çdo vajzë, ndërsa shumica e diagnozave vendosen para moshës 10 vjeç.
Studimi analizoi 2.7 milionë persona të lindur në Suedi mes viteve 1985–2022, të ndjekur deri në moshën 37 vjeç. Në total, 2.8% e pjesëmarrësve u diagnostikuan me Çrregullim të Spektrit të Autizmit, me moshë mesatare diagnoze 14 vjeç. Diagnozat ishin më të larta te djemtë në moshën 10–14 vjeç dhe te vajzat në moshën 15–19 vjeç.
Autorët theksojnë se gjetjet tregojnë se praktikat aktuale mund të mos e identifikojnë autizmin te shumë vajza në moshë të hershme. Studimi nuk mori në konsideratë faktorë gjenetikë apo mjedisorë dhe as çrregullime të tjera shoqëruese, si ADHD apo aftësia e kufizuar intelektuale, që mund të ndikojnë në diagnozë. Sipas ekspertëve, aftësitë më të mira sociale dhe komunikuese të disa vajzave mund ta bëjnë më të vështirë dallimin e hershëm të shenjave të autizmit.
/vizionplus.tv
