Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist shkroi sonte grafite nw Prishtinw si reagim ndaj vdekjes së një punëtori në vendpunishte në kryeqytet.
Në reagim thuhet se me pikëllim e revoltë e pamë sot tek shpaloset edhe një episod fatal i kapitalizmit të egër e vrastar që nxori edhe një kufomë prej punishteve të ndërtimit dhe la të tjerë të plagosur.
“Mafia e ndërtimit tash e sa kohë po ngrehë godina mbi gjakun e punëtorëve, ndërsa shteti i bëhet hisedar në trashje të pushtetit dhe shtypje kriminale të klasës punëtore. Në një shtet që më së paku i takon punëtorëve, për kapitalistët mafiozë kurbani i fitimit janë njerëzit që flijohen për t’i ushqyer apetitet për fitim e grumbullim. Të keqpaguar, të keqtrajtuar e të detyruar të punojnë edhe në mot përvëlues, punëtorët e ndërtimit punojnë në teh të ekzistencës. Krejt kjo teksa institucionet shtetërore herë shiten e herë bëhen indiferente ndaj krejt klasës punëtore”, thuhet në reagimin e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist .
