Lajme

Shkurti 2026, ndër më të nxehtit të regjistruar ndonjëherë

Shkurti i këtij viti rezultoi i pesti më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë në botë, ndërsa muaji u shoqërua edhe me reshje jashtëzakonisht të dendura shiu në disa pjesë të Evropës, sipas Observatorit Evropian të Kopernikut.

Sipas të dhënave të publikuara në buletinin mujor të klimës, temperatura mesatare globale në sipërfaqen e Tokës arriti në 13,26 gradë Celsius, që është 1,49 gradë më e lartë krahasuar me periudhën 1850–1900. Kjo periudhë konsiderohet si pikë referimi përpara fillimit të djegies masive të qymyrit, naftës dhe gazit, që sot konsiderohen shkaktarët kryesorë të ndryshimeve të vazhdueshme klimatike.

Në kontinentin evropian, temperaturat mesatare rezultuan më të ulëta dhe muaji i kaluar u rendit ndër më të ftohtit e 14 viteve të fundit. Megjithatë, situata u karakterizua nga kontraste të theksuara rajonale.

Kushte më të ftohta se mesatarja e periudhës 1991-2020 u regjistruan në Skandinavi, Finlandë, shtetet baltike dhe veriperëndimin e Rusisë. Në të kundërt, temperaturat ishin dukshëm më të larta se normalja në Evropën Perëndimore dhe Jugore.

Sa i përket temperaturës së sipërfaqes së oqeaneve, muaji shkurt rezultoi i dyti më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë, sipas të dhënave të Copernicus.

Në Arktik, shtrirja mesatare e akullit detar ishte rreth 5% më e ulët se mesatarja, duke shënuar vlerën e tretë më të ulët të regjistruar për një muaj shkurt. Edhe në këtë rajon u vunë re kontraste të mëdha. Ndërsa në disa zona pati reduktim të akullit, në Grenlandë u regjistrua shtrirja më e madhe e akullit të shkurtit në 22 vitet e fundit.

Diferenca të mëdha u shënuan edhe në kushtet hidrologjike. Pjesa më e madhe e Evropës Perëndimore dhe Jugore përjetoi një muaj shumë më të lagësht se mesatarja, me Francën që u godit nga përmbytjet, ndërsa pjesa tjetër e kontinentit u përball me kushte shumë më të thata.

Më 16 dhe 17 shkurt, nëntë stuhi sollën reshje të rrëmbyeshme dhe erëra të forta në Spanjë, Portugali dhe Marok, duke lënë pas më shumë se 50 viktima.

Në një studim të publikuar në fund të shkurtit, grupi i shkencëtarëve World Weather Attribution (WWA) arriti në përfundimin se ndryshimet klimatike kanë kontribuar në intensifikimin e këtyre reshjeve ekstreme.

“Ngjarjet ekstreme të motit gjatë shkurtit 2026 nënvizojnë pasojat gjithnjë e më të forta të ndryshimeve klimatike dhe nevojën urgjente për veprim global për t’i përballuar ato”, thuhet në deklaratën e një përfaqësuesi të Copernicus.

Sipas observatorit evropian, Evropa përjetoi kontraste të mëdha të temperaturave, ndërsa të ashtuquajturat “lumenj atmosferikë”, korridore të ngushta ajri shumë të lagësht, shkaktuan reshje rekord dhe përmbytje të gjera në pjesë të Evropës Perëndimore dhe Jugore.

Të Ngjashme