Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Shoqata e Prokurorëve ngre shqetësime për zhvillimet në KPK

 
   

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës po i ndjek me vëmendje të veçantë zhvillimet e fundit brenda Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe proceset që lidhen me pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Këto zhvillime kanë krijuar shqetësim real për stabilitetin, pavarësinë dhe besueshmërinë e Sistemit Prokurorial.

Përmes një komunikate për medie shoqata qartëson se integriteti i Sistemit Prokurorial është vlerë themelore që nuk mund të cenohet, as me vendime të nxituara, as me veprime të paarsyetuara dhe as me ndërhyrje që e dobësojnë funksionimin institucional.

“Çdo lëvizje në nivelet më të larta të drejtimit të Prokurorit të Shtetit duhet të jetë e bazuar fuqimisht në ligj, me arsyetim të plotë, në transparencë të plotë dhe në respekt të standardeve profesionale”, thuhet në njoftim.

Shoqata apelon që Këshilli Prokurorial i Kosovës të garantojë një proces plotësisht të ligjshëm, të qartë dhe të paanshëm, duke shmangur çdo veprim që krijon perceptim për tensione të brendshme apo komprometim të unitetit institucional.

“Po ashtu, Shoqata u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira, brenda dhe jashtë sistemit, që të tregojnë përgjegjësi institucionale dhe të shmangin çdo veprim që mund të interpretohet si ndikim, presion apo ndërhyrje në proceset e brendshme”, thuhet në komunikatë.

Sipas kësaj shoqate, stabiliteti dhe pavarësia e Sistemit Prokurorial janë vlera që duhet të mbrohen me kujdes, dhe çdo vendimmarrje duhet të zhvillohet në mënyrë të qetë, të matur dhe në frymë profesionalizmi.

“Shoqata e Prokurorëve të Kosovës do të vazhdojë ta monitorojë situatën me vëmendje të shtuar. Nëse konstatohen veprime që bien në kundërshtim me parimet e pavarësisë, ligjshmërisë dhe integritetit të sistemit, Shoqata do të reagojë pa hezitim. Pavarësia e Sistemit Prokurorial është përgjegjësi e përbashkët- dhe ajo duhet të mbrohet pa kompromis”, thuhet në fund të komunikatës.