
Subjektet politike që janë në garë për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, sot janë në ditën e katërt të fushatës e cila që do të zgjas 30 dite.
Nga shoqëria civile porosisin subjektet politike që të zhvillojnë fushatë korrekte dhe të mos përdorin gjuhë të urrejtjes. Ndërsa, ekspertë të komunikimit politik thonë qytetarët duhet të kujdesen se ku e si po informohen në mënyrë që të vendosin drejtë.
93 subjekte politike të cilat janë certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, po vazhdojnë me fushatën elektorale, duke shpalosur programet e tyre dhe kërkuar votën e qytetarëve.
Vullnet Bugaqku, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, thotë se është e rëndësishme që fushata të jetë e qetë, korrekte dhe në përputhje me ligjet dhe rregullat zgjedhore.
“Është e rëndësishme që të fokusohet gara dhe krejt procesi zgjedhor brenda parametrave politikë, programet qeverisëse në komuna dhe le tu jepet hapësirë qytetarëve që të vlerësojnë korrekt programet, projektet e partive politike që i aplikojnë partitë. Po ashtu, është me rëndësi të mos ketë gjuhë të urrejtjes, gjuhë nxitëse apo edhe sulme ndaj organeve të pavarura në vend”, tha ai.
Profesori universitar Gëzim Qerimi, thotë për Radio Kosovën, se gjatë fushatës zgjedhore qytetarët duhet të kujdesen se ku e si po informohen.
“Qytetarët duhet të jenë shumë të kujdesshëm sa i përket informacioneve që marrin gjatë fushatës elektorale. Duhet të fokusohen tek programet e partive politike, të eliminojnë gjuhën urrejtës që përdoren kandidatë ose edhe delegimin e kundër kandidatit”, tha ai.
Qerimi porositë qytetarët mos të bien pre e partive politike që në zgjidhjet lokale flasin për tema të mëdha nacionale, me çka thotë se ndërlidhen edhe shumica e sloganeve të partive të mëdha.
“Duken slogane që tingëllojnë mirë në kuptimin abstraktë, por nuk kanë lidhje me programet. Një pjesë prej tyre e përdoren edhe emërtimin e shtetit dhe kjo shumë më shumë i përshtatet sloganeve në zgjedhjet nacionale se në këto lokale. Pra, partitë politike në përgjegjësi, me sloganet e tyre kanë treguar që nuk janë goti me programet e tyre për këto zgjedhje lokale”, tha Qerimi.
Ndryshe nga herët e kaluara, në këto zgjedhje lokale fushata zgjedhore përfundon më 12 tetor, një minuta para hapjes së qendrave të votimit.