Lajme

Shormaz: Vuçiq po dëmton interesat e serbëve në Kosovë, ata duhet t’i kishin kthyer shpinën Beogradit

Ish-deputeti serb, Dragan Shormaz, ka reaguar pas aksionit të Policisë së Kosovës në veri të vendit, ku për herë të dytë brenda një dite janë gjetur dhe sekuestruar armë, municion dhe eksploziv në komunën e Zubin Potokut.

Sipas Shormazit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po ndjek një politikë të rrezikshme ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s, e cila, sipas tij, po dëmton drejtpërdrejt interesat e serbëve në Kosovë.

“Vuçiq po luan në mënyrë të rrezikshme me amerikanët dhe NATO-n. Veprime të tilla vetëm sa i largojnë serbët nga Unioni i Komunave me shumicë serbe”, ka deklaruar Shormaz, duke shtuar se serbët në Kosovë nuk do të duhej të kishin votuar për Listën Serbe. Ai ka theksuar se, sipas tij, qytetarët serbë do të duhej t’i kishin kthyer shpinën regjimit në Beograd.

Reagimi i tij vjen pasi Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë kryerjes së detyrave të rregullta policore në rajonin e veriut ka pranuar informacione për praninë e armëve dhe eksplozivit në një shtëpi të braktisur në fshatin Jagnjenicë të komunës së Zubin Potokut.

Gjatë kontrollit, njësitë policore kanë gjetur dhe sekuestruar një pushkë të tipit M48, 244 fishekë të kalibrave të ndryshëm, dy karikatorë të zbrazët si dhe një sasi eksplozivi. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë për Trajtimin e Eksplozivit (EOD), të cilat kanë tërhequr eksplozivin në mënyrë të sigurt.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.



Të Ngjashme