Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Shpallja e dy organizatave serbe, terroriste/ Komentohen reagimet e ndërkombëtarëve – ja çfarë thonë analistët!

Qeveria e Kosovës del se nuk është konsultuar me partnerët ndërkombëtarë për shpalljen terroriste të organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, ndonëse ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla pohoi se paraprakisht e kanë bërë një gjë të tillë.

Këtë deklaratë të Sveçlës e kanë përgënjeshtruar DASh-i, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.

Nga Amabasada Gjermane theksuan se nuk janë infomruar e as konsultuar paraprakisht nga Qeveria e Kosovës poër vendimin e marrë.

“Vendimi nuk është koordinuar as me Gjermaninë, madje as nuk është informuar qeveria gjermane nga autoritetet të Kosovës për këtë veprim paraprakisht”, ka thënë nga zyra për shtyp e Ambasadës gjermane.

Se Qeveria e Kosovës nuk është konsultuar me aleatët ndërkombëtarë për shpalljen e “Mbrojtjes Civile” dhe Brigadës së Veriut” organizata terroriste, e tha edhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

“Mbretëria e Bashkuar nuk ishte e konsultuar [për vendimin]”, tha një zëdhënës i Ambasadës.

Kujtojmë që “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” u shpallën organizata terroriste të enjten e 29 qershorit, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Mehazi: Fuqitë e mëdha duhet të përkrahin Kosovën

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Sulejman Mehazi.

 Image Profesori Sulejman Mehazi. 

Ai u shpreh se është për t’u habitur qëndrimi i këtyre shteteve karshi Kosovës pasi që të njejtit duhet të kërkojnë nga Serbia të mos vazhdoj me veprimet dashakeqe ndaj Kosovës.

“Është për t’ua habitur se si është e mundur që SHBA-të, Britania e Madhe, Gjermani e BE-ja të mos pajtohen me qeverinë e Kurtit për shpalljen e dy gupeve kriminale serbe “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” grupe të rrezikshme terroriste të cilët jo që sulmojnë sovranitetin e Kosovēs, por edhe KFOR-in, regjionin e Ballkanit Perëndimor tog me BE-në. SHBA-të, Britania e Madhe e BE-ja si mund të kërkojnë shtensionime në veri të Kosovës pa eliminimin e këtyre dy grupe terroriste proruse serbe. Fuqitë e mëdha është e pamundur mos e dinë se kjo situatë tejet e rëndë në veri ka ardhur nga këto dy grupe terroriste dhe duhet të përkrahet qeveria e Kosovën për shkak se shtensionimi, qetësia e paqa në këto katēr komuna me shumicë serbe vjen nëse e keqja e këtyre grupeve serbe eliminohet. Absurditeti më i madh politik i SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë është se nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkojnë shtensionimin e situatës, e në anën tjetër kritikojnë kryeministrin e Kosovës se pa lejen e tyre këto dy grupe të rrezikshme nuk është dashur të shpallen si organizata terroriste”, u shpreh ai.

Më tej, profesori thekson që dyfytyrësia e fuqive të mëdha vërehet hapur për shkak se nga Kurti kërkojnë shtensionimin e veriut, në anën tjetër përkrahin dy grupet e rrezikshme për të destabilizuar jo Kosovën , por edhe vendet fqinje të rajonit.

“Zotërinjtë e SHBA-ve e Britanisë në vend që të përkrahin Kurtin për shkak se fuqishëm mbron sovranitetin e Kosovës, këta bëjnë të kundërtën duke përkrahur grupet e rrezikshme serbe “Mbrojtja civile” dhe “Brigadën e veriut” që me ndihmën e Serbisë e Rusisë janë për ta kallur situatën në veri e jo për ta shuar. Dyfytyrësia e fuqive të mëdha vërehet hapur për shkak se nga Kurti kërkojnë shtensionimin e veriut, në anën tjetër përkrahin dy grupet e rrezikshme për të destabilizuar jo Kosovën, por edhe vendet fqinje të rajonit. Kryeministrin e Kosovës mund ta largojnë, mund ta rrënojnë politikisht fuqitë e mëdha që e kundërshtojnë dhe e kafshojnë në katër anë, por Kurti në historinë e shteteve evropiane do mbetet shembull i mbrojtjes së kushtetutës dhe sovranitetit të Kosovës. Albin Kurti me mbrojtjen e sovranitetit të një grusht shteti të vogël siç është Kosova ka zbuluar dhe ka bindur botën e sotme njerëzore se udhëheqësit e shteteve të fuqishme SHBA, BE, Britani e Madhe, Gjermani, Rusia janë korporata korruptive botërore”, shpjegon Mehazi për “Bota sot”.

Mehmeti: Në politikë nuk mjafton çdo herë të kesh të drejtë, duhet me ditë edhe të drejtën si më ushtru

Ndërsa analisti politik Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që qëndrimet e Britanisë dhe Gjermanisë duhet të jenë një pikë reflektimi për Qeverinë tonë.

 Image Analisti politik Faton Mehmeti 

“Reagimet e deri tanishme nga BE, nuk kanë qenë aq shqetësuese për mua, duke besuar fortë se përfaqësuesit e saj të angazhuar në dialog me Kosovë janë nga shtete që nuk njohin Kosovën. Mirëpo, reagimet e Gjermanisë dhe Britanisë duhet të bëjnë qeverinë që të reflektojë, të gjej mënyrë tjetër për të reaguar. Në politikë nuk mjafton çdo herë të kesh të drejtë, duhet me ditë edhe të drejtën si më ushtru. Duket se qeveria Kurti nuk po reflekton për të zgjedhur forma dhe mënyra tjera të ushtrimit të drejtës së saj. Veprimi në fjalë, sado që është i drejtë ka diçka që nuk është plotësisht i mbështetur nga ndërkombëtarët”, tha analisti.

Në fund, ai thotë që, qeveria duhet të jetë më bashkëpunuese me ndërkombëtarët kur është në pyetje vendimet me veriun.

“Qeveria, tani e tutje duhet të jetë më harmonizuese me ndërkombëtarët, përndryshe do të vazhdojë të shënoj autogola, edhe pse në të drejtën e saj. Deri në arritjen e marrëvshjës përfundimtare me Serbinë, qeveria duhet të jetë më bashkëpunuese me ndërkombëtarët kur është në pyetje vendimet me veriun, pastaj kur të arrihet marrëveshja e ushtron 100 % pushtetin pa pyetur askend, sepse është në të drejtën e saj, deri atëherë, duhet bashkëpunim më i ngushtë, përndryshe do të humbasim miqësinë nga ata që fal tyre jemi këtu sot, të lirë dhe të pavarur”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.