Lajme

Shpërndarja e Kuvendit nga Osmani ndez polemika: Përplasje për Kushtetutën

Vjosa Osmani ka bërë të ditur të premten se ka nxjerrë dekret për shpërndarjen e Kuvendi i Kosovës, duke theksuar se me këtë veprim ka përmbushur një detyrim të qartë kushtetues.

Sipas saj, vendimi erdhi pasi përfaqësuesit politikë vendosën ta çojnë vendin në zgjedhje si pasojë e mosarritjes së zgjedhjes së Presidentit të ri.

“Nëpërmjet këtij dekreti po kryej detyrimin kushtetues i cili është i përcaktuar qartë. Është fatkeqësi e madhe që ata [deputetët] nuk zgjodhën interesin e Kosovës”, është shprehur Osmani.

Megjithatë, vendimi i presidentes për shpërndarjen e Kuvendit ka ndezur debate të ashpra në skenën politike dhe publike, me reagime të ndryshme nga analistë, juristë dhe figura politike rreth legjitimitetit dhe motiveve të këtij veprimi.

Kryeziu: E ka edhe detyrë kushtetutese

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka thënë se presidenti ka të drejtë dhe detyrim kushtetues për të shpallur zgjedhjet.

Image
Kadri Kryeziu

Sipas tij, kjo është kompetencë që i takon vetëm presidentit si autoritet shtetëror me mandat kushtetues për ta bërë një vendim të tillë.

Jo vetëm që ka të drejtë, por e ka edhe detyrë kushtetutese, se është i vetëm autoritet shteti që ka kompetencë kushtetuese që t’i shpallë zgjedhjet”, tha Kryeziu për “Bota sot”.

Koci: Dekreti i Presidentes Osmani është antikushtetues dhe sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës

Kurse, analisti politik Melzaim Koci, në një përgjigje për “Bota sot”, vlerëson se Presidentja Vjosa Osmani ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetuta e Kosovës duke shpërndarë Kuvendi i Kosovës.

Sipas tij, neni 82 i Kushtetutës përcakton qartë rastet kur mund të shpërndahet Kuvendi, dhe në këtë rast duhej të pritej afati 60-ditor i procedurës, jo të shpërndahej menjëherë me dekret.

Image
Melazim Koci

Ai shton se neni 86 kërkon vetëm zgjedhjen e presidentit brenda 30 ditëve, por nuk i jep presidentes të drejtën për shpërndarjen e parlamentit pas këtij afat

“Me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, Presidentja Osmani ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës. Shpërndarja e Kuvendit përcaktohet ekskluzivisht me nenin 82 të Kushtetutës dhe ai parasheh 3 raste të shpërndarjes a/nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga data e caktimit të mandatarit nga Presidenti i Republikës së Kosovës, nuk mund të formohet Qeveria e Republikës së Kosovës; b/nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat e të gjithë deputetëve, shpërndarja bëhet me dekret të Presidentit/es të Republikës së Kosovës; c/nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjedhet Presidenti i Republikës së Kosovës. Kuvendi mund të shpërbehet nga Presidenti i Republikës së Kosovës edhe pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë. Në rastin tonë, kemi të bëjmë me fillim të procedurës dhe duhet pritur 60 ditë dhe vetëm pastaj Parlamenti shpërndahet me automatizëm.

Presidentja është thirrur në nenin 86, paragrafi 2 ku thuhet se “zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”. Ky nen kërkon që Presidenti/Presidentja duhet të zgjedhen brenda 30 ditë, por nuk e thotë që Presidentja e ka të drejtën e shpërndarjes së Parlamentit pas këtij afati…”, thotë ai.

Koci tutje thotë se thotë se dekreti i Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendi i Kosovës është antikushtetues dhe paralizon jetën parlamentare.

Ai kërkon reagim nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe paralajmëron se mund të niset edhe procedurë shkarkimi ndaj presidentes.

“Dekreti i Presidentes Osmani është antikushtetues dhe sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës. Me këtë dekret znj. Osmani ka paralizuar jetën parlamentare në Kosovë dhe ka pamundësuar përpjekjet e mëtejme për zgjedhje të Presidentit/es. Kemi të bëjmë me shkelje të rëndë kushtetuese dhe në shumë demokraci parlamentare ky veprim do të bënte që të niset procedurë për shkarkimin e saj (impeachment), kuptohet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Duhet pritur reagim të shpejtë të Gjykatës Kushtetuese për ta shpallur antikushtetues dekretin e Presidentes Osmani dhe t’i jepet rasti Parlamentit që brenda afatit 60 ditor të gjejë zgjidhje. Nëse këtë Kuvendi nuk mund ta bëjë vendi me automatizëm shkon në zgjedhje në afatin prej 45 ditësh” – përfundon ai për gazetën.

Të Ngjashme