Lajme

‘Shpërthen’ Geci: Mos e krahasoni Kurtin me këta politikanë – është rrezik për historinë!

Halil Geci ka reaguar në lidhje me debatet e fundit rreth të kaluarës politike të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke rikujtuar qëndrimin e tij para gjykatës serbe gjatë periudhës së regjimit të Slobodan Milosheviq.

Në një reagim në Facebook, Geci e cilëson deklaratën e atëhershme të Kurtit si një akt të fortë politik dhe moral kundër një sistemi që, sipas tij, përdorte gjyqet si instrument politik ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Në reagimin e tij, ai kritikon edhe zërat që, sipas tij, përpiqen ta relativizojnë apo ta zbehin këtë qëndresë, duke kundërshtuar deklaratat dhe krahasimet e bëra mes Kurtit dhe figurave të tjera politike, përcjell “Bota sot”.

Geci përmend në mënyrë të drejtpërdrejtë emra si Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku, Bedri Hamza, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, duke theksuar se, sipas tij, krahasimet e tilla janë të papranueshme dhe të rrezikshme për mënyrën se si interpretohet historia politike e vendit.

Shkrimi i plotë

Kur Kosovës i mohohej drejtësia, qëndresa e Kurtit ndaj gjyqeve të armikut u bë detyrë

Deklarata e dikurshme e Kryeministrit të sotëm Albin Kurti përballë gjyqit serb dhe zërat që sot përpiqen ta zbehin atë qëndresë.

Në një nga momentet më të errëta të historisë sonë të afërt, përballë një gjyqi që nuk përfaqësonte as drejtësi e as të vërtetë, qëndroi i palëkundur njeriu që sot mban përgjegjësinë më të lartë shtetërore — Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ajo që u tha atëherë nuk ishte thjesht një mbrojtje personale, por një akt i pastër politik dhe moral kundër një sistemi shtypës.

“Unë këtë gjyq nuk e njoh dhe as nuk e pranoj, ashtu siç nuk e njoh as Serbinë e as Jugosllavinë.

Ky gjyq nuk ka asgjë të përbashkët me të vërtetën dhe drejtësinë.

Ky gjyq është në shërbim të politikës ditore fashiste të Millosheviqit.

Për mua dënimi nuk ka rëndësi, pavarësisht sa do të më dënoni:

10, 20, 30 apo 50 vjet.

Për mua dënimi nuk paraqet kurrfarë mase vlerësuese për asgjë.”

Kjo deklaratë mbetet një nga dëshmitë më të qarta të refuzimit për t’u nënshtruar dhe për të legjitimuar padrejtësinë. Ajo ishte një sfidë e hapur ndaj një regjimi që përdorte gjyqet si instrument politik.

Por sot, në mënyrë paradoksale, nuk mungojnë zërat nga vetë skena politike që përpiqen ta shtrembërojnë këtë histori. Deklarata të tipit “pse nuk të vrau Serbia” nuk janë vetëm të papërgjegjshme, por edhe të rrezikshme për vetë ndërgjegjen shoqërore. Ato përfaqësojnë një logjikë të shtrembër, ku vlera e një qëndrimi matet me fatin tragjik, e jo me guximin dhe qëndrueshmërinë.

Të kërkosh vdekjen si provë të pastërtisë është të mohosh vetë jetën dhe sakrificën në forma të tjera. Nuk është hero ai që vritet domosdoshmërisht, por ai që nuk përkulet, që nuk e shet të vërtetën dhe që përballet me padrejtësinë pa frikë.

Në këtë kuptim, qëndrimi i atëhershëm nuk ka nevojë për mbrojtje nga zërat e sotëm. Ai flet vetë — qartë, fort dhe pa kompromis. Është një kujtesë se dinjiteti nuk negociohet dhe se drejtësia nuk pranohet kur vjen e maskuar si padrejtësi.

Sepse historia nuk ndërtohet nga ata që hedhin akuza të lehta, por nga ata që, në momentet më të vështira, zgjedhin të qëndrojnë drejt.

Ta krahasosh Kurtin me Vjosa Osmanin, Lumirin, Bedri Hamzën, Hashim Thaçin, Isa Mustafën dhe disa nga të ashtuquajturit “komandantë” të djathtë, madje edhe me mua, është e rrezikë me ju vrarë Zoti për së kthjellti.

Të Ngjashme