Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar disa problematika thelbësore.
Së pari, ai vë në dukje se vendimi bie ndesh me praktikat dhe vendimet e mëparshme të vetë Gjykatës. Diçka që më parë konsiderohej një mënyrë për të zhbllokuar Kuvendin, sot interpretohet si shkelje kushtetuese. Ky ndryshim i papritur krijon pasiguri mbi rregullat që realisht vlejnë dhe dëmton besimin e qytetarëve te drejtësia.
Së dyti, vendimi prek drejtpërdrejt lirinë e votës së deputetit. Në rast se Kuvendi mund të votojë vetëm kandidatin e propozuar nga një komunitet, deputetët nuk e ushtrojnë më zgjedhjen e tyre sipas bindjes, por nën presion: ose votojnë dikë që nuk e mbështesin, ose pengojnë funksionimin e Kuvendit. Kryeziu e konsideron këtë një formë presioni të fshehur politik.
Postim i plotë:
Kam një shqetësim serioz me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Së pari, ai bie ndesh me vendimet e mëhershme të vetë Gjykatës. Ajo që dje quhej mënyrë për të zhbllokuar Kuvendin, sot quhet shkelje kushtetuese. Kjo e bën të paqartë se cilat rregulla vlejnë realisht dhe e dëmton besimin te drejtësia.
Së dyti, ky vendim e prek diçka shumë themelore: votën e lirë të deputetit. Nëse Kuvendi mund të votojë vetëm kandidatin e propozuar nga një komunitet, atëherë deputetët e tjerë nuk po votojnë më sipas bindjes së tyre, por nga halli – ose e votojnë dikë që nuk e duan, ose e mbajnë Kuvendin të bllokuar.
Kjo nuk është zgjedhje. Është presion i fshehur politik.
Unë e kuptoj nevojën për përfaqësim të komuniteteve dhe ajo duhet të mbrohet. Por nuk mund të mbrosh një parim duke e shkatërruar tjetrin. Nuk mund të mbrosh përfaqësimin duke sakrifikuar lirinë e votës.
Gjykata Kushtetuese duhet të balancojë parimet, jo të anojë në njërën anë dhe ta lërë tjetrën pa peshë. Ky vendim, për mua, nuk e bën këtë.
Dhe megjithëse ky aktgjykim është i dobët, si çdo vendim tjetër i Gjykatës Kushtetuese, ai do të respektohet në përpikëri — prandaj ambasadat dhe misionet ndërkombëtare nuk kanë nevojë të lëshojnë deklarata që na kujtojnë të respektojmë vendimet e saj.
