Aktuale

Shqipëria “delja e zezë” e Evropës, renditet pas Bosnjës, Serbisë dhe gjithë rajonit për nivelin e demokracisë…

Shqipëria “delja e zezë” e Evropës, renditet pas Bosnjës, Serbisë dhe gjithë rajonit për nivelin e demokracisë, zbardhet raporti
Shqipëria po përballet me një nga vlerësimet më të ashpra ndërkombëtare për gjendjen e demokracisë në vend. Raporti më i fundit i institutit V-Dem (Varieties of Democracy Institute) e rendit Shqipërinë si një autokraci zgjedhore, duke e pozicionuar ndër vendet më problematike në Evropë për standardet demokratike. Sipas këtij raporti, vendi ka pësuar rënie të ndjeshme në indeksin e demokracisë gjatë viteve të fundit. Vlerësimi i V-Dem, një prej institucioneve më prestigjioze globale në analizën e demokracisë, thekson se zgjedhjet në Shqipëri nuk konsiderohen plotësisht të lira dhe të ndershme. Raporti nënvizon gjithashtu nivelin e lartë të korrupsionit dhe presionin e vazhdueshëm ndaj mediave si faktorë kryesorë të regresit demokratik. Këto zhvillime e kanë vendosur Shqipërinë në një pozicion më të dobët krahasuar edhe me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë, Serbia gjithashtu klasifikohet si autokraci zgjedhore, por vendet e tjera të rajonit paraqiten në një situatë disi më të favorshme. Bosnja dhe Hercegovina konsiderohet një demokraci shumë e dobët, ndërsa Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova renditen si demokraci zgjedhore. Veçanërisht, Kosova vlerësohet për zgjedhje relativisht të lira dhe konkurrencë më të hapur politike, edhe pse mbetet me institucione të brishta. Raporti evidenton se i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor mbetet në një “zonë gri” mes demokracisë dhe autokracisë. Problemet e përbashkëta përfshijnë korrupsionin e lartë, mungesën e pavarësisë së drejtësisë, mediat e dobëta dhe fenomenin e kapjes së shtetit. Megjithatë, Shqipëria rezulton ndër vendet me performancën më të dobët në këtë panoramë. Ekspertët theksojnë se stagnimi dhe regresi demokratik janë bërë tipar i qëndrueshëm për vendin, duke ngritur shqetësime serioze për të ardhmen institucionale. Besimi i qytetarëve tek institucionet vijon të mbetet i ulët, ndërsa reformat konsiderohen të pamjaftueshme. Në përfundim, raporti i V-Dem e vendos Shqipërinë në një pozitë të vështirë në hartën demokratike evropiane, duke e cilësuar si “delen e zezë” të rajonit. Ky vlerësim pritet të nxisë debate të forta politike dhe publike mbi drejtimin që po merr demokracia në vend.

Por çfarë është autokracia elektorale?

Ndërkohë V-Dem shpjegon e qartë se vendi nuk mban zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe nuk ka nivelet e mjaftueshme të lirisë së shprehjes dhe asociimit. Në praktikë, ky klasifikim e bën Shqipërinë një diktaturë autoritare me maskë demokratike. Nuk është një diktaturë totalitare apo autokraci e mbyllur siç e etiketon V-Dem, sepse qytetarët ende votojnë, por pushteti mbetet i përqendruar dhe zgjedhjet janë farsë. Votimet nuk janë të një niveli të barabartë për të gjithë aktorët politikë, dhe ndikimi i qeverisë mbi gjyqësorin, mediat dhe administratën publike dobëson mekanizmat demokratikë. Kjo situatë e vendos Shqipërinë në një shkallë ku demokracia ekziston vetëm në formë, ndërsa realiteti politik reflekton kontroll të fortë dhe kufizim të lirisë politike dhe qytetare. Instituti V‑Dem (Varieties of Democracy Institute) është konsideruar një institucion studimor shumë i rëndësishëm për studimin e demokracisë dhe sistemeve politike në botë. V‑Dem publikon një nga setet më të mëdha dhe të detajuara të të dhënave mbi demokracinë, me qindra indikatorë që masin jo vetëm zgjedhjet, por edhe lirinë e mediave, sundimin e ligjit, të drejtat civile, përfshirjen qytetare etj. Këto të dhëna mbulojnë qindra vende dhe dekada historike. Të dhënat e V‑Dem përdoren gjerësisht nga studiuest e shkencave politike, ekonomisë, sociologjisë dhe organizata ndërkombëtare për të analizuar demokracinë, për të krahasuar regjime dhe për të monitoruar trendet globale. Shkencëtarë e kanë quajtur V‑Dem “ofruesin më të rëndësishëm të të dhënave cilësore për demokracinë”. V‑Dem ka një rrjet ekspertësh në mbi 180 vende që kontribuojnë në mbledhjen e të dhënave, duke e bërë dataset‑in mjaft gjithëpërfshirës dhe të besueshëm. Më poshtë po pasqyrojmë detaje nga raporti.

Të Ngjashme