
Shqipëria nënshkroi ditën e sotme një marrëveshje të rëndësishme me Francën sa i përket modernizimit të Forcës Ajrore.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu dhe ai për Forcat e Armatosura të Francës, Sebastien Lecornu dolën në një konferencë për shtyp ku thanë se marrëveshja rrit bashkëpunimin dypalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Marrëveshja ka të bëjë me blerjen e kapaciteteve të avancuara, mobile të vëzhgimit ajror nga një kontraktor industrial financiar francez.
“Tregues i qartë i një investimi strategjik për nevojat kombëtare dhe në funksion të aleancës”, tha Vengu.
Ministri tha se kërkoi mbështetjen e homologut të tij edhe për përpjekjet që po bën Shqipëria për rivitalizimin e industrisë ushtarake.
“Kjo marrëveshje ka të bëjë me një prodhim francez, për të cilin jemi shumë krenarë”, tha nga ana tjetër ministri francez.
Sipas Lecornu, ajo “do të rrisë ndërveprueshmërinë, sistemet e interceptimit, dronët dhe gjithçka tjetër që do të ndihmojë në këtë ndërveprueshmëri”.
“Përpjekjet e ministrisë suaj dhe liderëve politikë të vendit tuaj që ka si qëllim ruajtjen e sovranitetit dhe rritjen e kapaciteteve tuaja ushtarake janë vërtetë shumë të rëndësishme dhe ju do të keni gjithmonë mbështetjen tonë në këtë pikë. Vendosmëria juaj për t’i mëshuar kaq shumë objektivit të sigurisë është vërtetë shumë e vlerësueshme nga ana jonë. Ky vullnet politik kaq fanatik nga ana e shtetit tuaj na bën të përfshihemi sa më shumë dhe këtë gjë do e tregojmë në trajnime që kemi një bashkëpunim mes shkollave tona që të kemi vazhdimësi të marrëdhënieve bilaterale mes shteteve tona”, tha Lecornu./tvklan.al/