Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët amerikanë, duke theksuar se Shqipëria mund të jetë në shënjestër të grupeve të lidhura me Iranin.
Në njoftimin e publikuar më 1 Prill 2026, Ambasada sqaron se këto grupe mund të synojnë subjekte të lidhura me SHBA-në, si dhe elementë të opozitës iraniane në vend. Sipas paralajmërimit, objektiva të mundshëm mund të jenë gjithashtu vende publike dhe turistike, përfshirë qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante.
“Alarm Sigurie – Ambasada Amerikane në Tiranë, Shqipëri (1 Prill 2026)
Vendndodhja: Tirana, Shqipëria
Ngjarja: Grupet e lidhura me Iranin mund të synojnë të synojnë subjekte të lidhura me SHBA-në ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Ata gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante. Ne i inkurajojmë qytetarët amerikanë të ushtrojnë vigjilencë të shtuar.
Veprimet që duhen ndërmarrë:
Qëndro vigjilent
Monitoroni mediat lokale për përditësime
Ji i vetëdijshëm për mjedisin përreth
Rishikoni planet tuaja personale të sigurisë dhe mbajeni telefonin celular të karikuar në rast emergjence”, thuhej në njoftimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.
Ekspertët e kanë komentuar paralajmërimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë për rrezikun që objektiva të lidhura me SHBA apo elementë të opozitës iraniane në Shqipëri mund të bëhen cak i grupeve pro-iraniane. Sipas tyre, mesazhi i diplomacisë amerikane duhet trajtuar me qasje profesionale, duke rritur vigjilencën dhe duke aktivizuar masat parandaluese, veçanërisht për infrastrukturën kritike, ndërsa paralajmërimi mund të ketë edhe pasojat e tij për turizmin dhe ekonominë.
Softa paralajmëron rreziqe nga Serbia, Rusia dhe Kina
Fillimisht, eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar se se paralajmërimi i Ambasadës Amerikane në Tiranë duhet trajtuar me qasje profesionale dhe jo emocionale.

Fatjon Softa
Ai ka shpjeguar se në raste të tilla kërkohet rritje e vigjilencës, rivlerësim i objekteve sensitive dhe marrja e masave parandaluese, sidomos për infrastrukturën kritike si objektet diplomatike, aeroportet, portet dhe rrjetet energjetike.
“Paralajmërimi i Ambasades Amerikane në Tiranë, për mundësinë që objektiva të lidhura me SHBA apo elementë të opozitës iraniane në Shqipëri të mund të bëhen objektiv i grupeve pro-iraniane, kërkon lexim profesional dhe jo emocional.
Në raste të tilla, rreziku klasifikohet sipas nivelit të informacionit, burimit të kërcënimit, objektivit të mundshëm dhe kapacitetit goditës të aktorëve që mund ta materializojnë atë. Në praktikën e sigurisë, kjo do të thotë rritje vigjilence, rivlerësim i objekteve sensitive dhe masa parandaluese të menjëhershme në sektorët me risk.
Në fokus hyjnë objektet diplomatike, aeroportet, portet, pikat kufitare, sistemet energjetike, rrjetet e komunikimit, qendrat tregtare, hotelet, zonat turistike dhe çdo element që konsiderohet infrastrukturë kritike kombëtare”, ka thënë ai.
Tutje, Softa ka parashtruar disa pyetje se nëse duhet të aktivizohet niveli më i lartë i koordinimit institucional, deri te Këshilli i Sigurisë Kombëtare, duke theksuar se kërcënimet moderne janë edhe hibride e kibernetike.
“Pyetja që lind natyrshëm është: a duhet në një situatë të tillë të aktivizohet niveli më i lartë i koordinimit institucional, deri në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare? Sepse kërcënimet moderne nuk janë vetëm fizike; ato mund të jenë hibride, kibernetike, simbolike apo të orientuara ndaj panikut publik.
Shqipëria ka struktura të specializuara në luftën kundër terrorizmit, me rol të drejtpërdrejtë të Policia e Shtetit, strukturave inteligjente, kontrollit kufitar dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët e NATO dhe aleatët strategjikë. Por sfida reale mbetet te koordinimi operacional, shpejtësia e reagimit dhe aftësia për parandalim në kohë.
Siguria nuk matet me deklarata, por me kapacitetin për të identifikuar rrezikun para se ai të marrë formë”, ka shpjeguar ai.
Po ashtu, Softa ka vënë në dukje se rreziku mbetet i pranishëm në Ballkan dhe në Kosovë, për shkak të qëndrimeve pro-amerikane dhe mbështetjes ndaj Izraelit, si dhe nga interesat e jashtme të Serbisë, Rusisë dhe Kinës, që mund të krijojnë tensione dhe destabilizim.
“Në një realitet ndërkombëtar të tensionuar, Shqipëria duhet të ruajë qetësinë publike, por njëkohësisht të forcojë gatishmërinë institucionale në çdo hallkë të sistemit të sigurisë.
Rrezik mbetet dhe hapsira Ballkanike, Kosova edhe për shkak të qëndrimeve pro amerikane dhe mbeshtetje e Izraelit, rrezik mund të jenë dhe faktore të tretë, Serbia, Rusia dhe Kina që kanë interesa të krijohet një vatër e re tensioni dhe destabilizues në kufijtë e Europës. Shqipëria ka pas sulme kibernetike, kanlarguat ambasaden e Iranit dhe ka qenë vendi i dytë që ka një vendim nga parlamenti për një rezolutë që klasifikon Iranin si sponsor i terrorizmit.
Ky ekspozim ka rritur rrezikun potencial ndaj dy vendeve tona, ku grupe radikale apo sponsorizine mund te gidasin infrastrukturen kritike ashtu sindhe ambasada amerikane njofton me kete paralajmerim”, ka përfunduar Softa.
Alarm lufte në Shqipëri?!
Ndërsa, analisiti politik, Ilir Vata, ka cilësuar se njoftimi i Ambasadës së SHBA në Tiranë është një paralajmërim serioz për institucionet shqiptare për të garantuar sigurinë e qytetarëve

Ilir Vata
Ai ka theksuar se, rreziku është i shpërndarë dhe mund të prekë jo vetëm opozitën iraniane, por edhe vende publike.
“Njoftimi i Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë është me rëndësi, një paralajmërim serioz për institucionet shqiptare për të marrë masa për garantimin e jetës së qytetarëve. Shqipëria është partner strategjik i Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe, si e tillë, ka strehuar opozitën iraniane në Durrës. Shqipëria u bë shënjestër nga Irani duke u sulmuar me krime kibernetike dhe, si pasojë, Shqipëria dëboi ambasadën iraniane në Tiranë.
Pra, Irani e konsideron Shqipërinë vend armik, kjo edhe pas deklaratave të ish-liderit iranian, tashmë i vrarë.
Lajmi nga ambasada e SHBA paralajmëron rrezik, por gama e agresionit është e shpërndarë, pasi grupet mund të godasin jo vetëm opozitën iraniane në Durrës, por sipas ambasadës synojnë gjithashtu vende publike dhe të zakonshme, përfshirë qendra turistike, tregtare, hotele, klube dhe restorante. Madje edhe aeroportin, bazën e Kuçovës, digat e hidrocentraleve, pra energjinë”, është shprehur ai.
Sipas tij, Shqipëria nuk ka kapacitete parandaluese të veçanta, por si vend anëtar i NATO-s dhe partner besnik i SHBA-së konsiderohet e mbrojtur, pasi një sulm ndaj saj do të sillte përgjigje të aleancës.
“Ky është alarm lufte; ushtria duhet të jetë në gatishmëri në kuadër të udhëzimeve të NATO.
Shqipëria nuk ka kapacitete parandaluese, por në kuadër të aleancës konsiderohet e mbrojtur. Pasi nëse sulmohet një vend i NATO-s dhe partner besnik i SHBA-së, Irani do të sulmohet nga aleanca e drejtuar nga SHBA.
Nga pikëpamja politike dhe strategjike, Irani nuk mendoj se do të bëjë diçka të tillë, pasi do të shënonte fundin e regjimit, sepse mund të përballet me bombardime të tmerrshme nga SHBA. Megjithatë, shteti shqiptar duhet të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të hartuar strategjinë mbrojtëse në bashkëpunim me partnerët”, ka shtuar ai.
Në fund, Vata ka thënë se paralajmërimi mund të ndikojë negativisht në turizëm, pasi vizitorët e huaj mund të shmangin Shqipërinë si vend “shënjestër lufte”.
“Po, ka ndikim, pasi të huajt mund të shmangin një vend të konsideruar si shënjestër lufte. Po ashtu, do të ketë ndikim në ekonominë në tërësi”, ka përfunduar Vata për “Bota sot”.
