Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Shqipëria, një nga ekonomitë me rritje më të shpejtë në Evropë

Shqipëria po shënon një nga ritmet më të larta të rritjes ekonomike në Europë, por përparimi drejt Bashkimit Europian do të varet gjithnjë e më shumë nga thellimi i reformave dhe forcimi i luftës kundër korrupsionit.

Ky është mesazhi kryesor i raportit të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Konsultimin e Nenit IV për vitin 2025.

Sipas FMN-së, ekonomia shqiptare pritet të rritet me 3.5% në vitin 2025 dhe 3.6% në 2026, e nxitur kryesisht nga konsumi privat dhe një sektor turizmi në zgjerim të vazhdueshëm.

Raporti thekson se kjo rritje e fortë, e shoqëruar me inflacion të ulët dhe rezerva valutore të qëndrueshme, krijon një bazë të favorshme për avancimin e reformave strukturore dhe integrimin europian.

Megjithatë, FMN nënvizon se përmirësimi i qeverisjes, transparencës dhe garantimi i pavarësisë së institucioneve kundër korrupsionit, përfshirë SPAK-un, janë kyçe për një zhvillim të qëndrueshëm.

Në planin fiskal, disiplinimi i financave publike ka çuar në uljen e ndjeshme të borxhit, i cili pritet të bjerë nën 50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2030.

FMN paralajmëron se presionet afatmesme nga demografia, shpenzimet për mbrojtjen dhe ndryshimet klimatike mund të rrezikojnë këtë ecuri, duke shprehur shqetësime edhe për nismën e “Paqes Fiskale”, e cila sipas Fondit mund të dëmtojë përputhshmërinë tatimore.

Në politikën monetare, norma bazë e interesit prej 2.5% vlerësohet si e përshtatshme, ndërsa sektori bankar konsiderohet i qëndrueshëm, por me rreziqe në rritje nga kreditimi në pasuri të paluajtshme.

Në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria pritet të rritet mbi mesataren rajonale prej 2–3%, duke lënë pas disa ekonomi fqinje.

Megjithatë, FMN thekson se vetëm përmes reformave të thella dhe forcimit të shtetit të së drejtës, kjo rritje mund të përkthehet në konvergjencë reale me Bashkimin Europian./rtsh.al