Një grua 49-vjeçare është gjetur e vdekur në një banesë në Pianello Vallesina, një fshat i vogël i Monte Roberto në provincën Marke në Ankona.
Sipas të dhënave paraprake të autoriteteve, viktima, Sadjide Muslija, me origjinë maqedonase, dyshohet se është rrahur për vdekje.
Ajo u gjet pa shenja jete në shtrat, me trauma dhe lëndime të dukshme në kokë.
Policia u njoftua nga punëdhënësi i saj, pasi gruaja nuk ishte paraqitur në punë.
I dyshuari kryesor, bashkëshorti i saj Nazif Muslija, gjithashtu me origjinë maqedonase, aktualisht është i zhdukur dhe po kërkohet nga policia.
Pavarësisht procedurave të ndarjes dhe një dënimi të mëparshëm për dhunë, ai ishte rikthyer të jetonte me viktimën.
Në vendngjarje ndërhynë magjistrati i Prokurorisë së Ankonës, karabinierët e njësisë hetimore, specialistë të seksionit të Hetimeve Shkencore të Ankonës, si dhe kryebashkiaku i Monte Roberto, Lorenzo Focante.
Arrestimet e mëparshme dhe denoncimet
Burri, 50 vjeç, kishte pranuar fajësinë për një dënim me 10 muaj burg, të vendosur korrikun e kaluar, pasi u arrestua në prill për ndjekje të gruas me një sëpatë dhe kërcënimin e saj me vdekje.
Në atë rast, viktima arriti të shpëtonte duke u strehuar te fqinjët, ndërsa ai u vendos fillimisht në arrest shtëpie.
Për shkak të shkeljeve të përsëritura, në maj gjyqtari vendosi ta linte në burg.
Muaj më parë, në janar, gruaja kishte denoncuar një tjetër sulm të rëndë, burri e kishte sulmuar në makinë dhe kishte thyer xhamin e përparmë me sëpatë.
Ajo kishte marrë 30 ditë raport mjekësor, ndërsa ai ishte akuzuar për sulm.
Çifti ka dy fëmijë, një djalë 27-vjeçar, i martuar dhe banues në Zvicër, si dhe një vajzë.
Një fqinj, gjithashtu mik i viktimës, u shpreh për mediat: “Ajo më thoshte se nuk kishte më frikë, se burri kishte ndryshuar. ‘Po trajtohet, është bërë i qetë’, më përsëriste vazhdimisht.”/TopChannel

